E Enjte, 5 Nëntor 2026

Frika nga COVID rriti shitjet e antibiotikëve, Mjekët: Diabetikët kujdes me kortizonin!

Pandemia rriti përdorimin e tepruar dhe pa kriter të antibiotikëve dhe të suplementëve ushqimor duke dhënë më shumë dëme se efekte terapeutike. Sipas endokrinoligut Florian Toti, gjatë valës “Omicron“ kur shenjat e infektimit u shfaqën më të buta se gjatë valës “Delta“ shumë qytetarë janë vetëmjekuar me antibitoikë dhe suplemente, edhe pa qënë të konfirmuar me COVID-19.

“Njerëzit me dëshirën e mirë për t‘u mbrojtur nga sëmundjet, për të rritur imunitetin, për t‘u mbrojtur nga sëmundjet dhe në fund të fundit për të mjekuar edhe COVID-in, pavarësisht se një pjesë mund të mos kenë qenë raste me COVID por kanë qenë të prekur nga një virozë e stinës, kanë shtuar shumë konsumin e antibiotikëve në radhë të parë. Ndërkohë dihet që virozat asnjëherë nuk mjekohen me antibiotikë. Përveç kësaj kanë shtuar shumë përdorimin e suplementeve ushqimorë, duke përfshirë ndonjëherë edhe disa produkte që në dukje mund të ndikojnë për mirë, por në fakt nuk është se kanë ndonjë efekt të jashtëzakonshëm  dhe mbi të gjitha duke vonuar në një pjesë të rasteve vizitën tek mjeku pasi kanë menduar se kanë qenë duke u trajtuar për sëmundjen por që në fakt kanë qenë duke marrë disa suplemente që nuk e zgjidhin situatën”- tha mjeku Florian Toti.

Mjeku Toti u tërheq vëmendjen pacientëve diabetikë dhe mjekëve prej të cilëve ata marrin trajtimin ambulator të bëjnë kujdes me dozat e kortizonikëve kur janë të prekur nga COVID pasi ky preparat sjell luhatje të forta të vlerave të glicemisë dhe të presionit arterial.

“Këtu dua ti bëjë thirrje edhe personave me diabet që janë duke marrë trajtim për COVID.Në  një kohë që ne nuk kemi një protokoll ndërkombëtar se sa janë dozat e kortizonikëve, sa duhet të jetë kohëzgjatja, si duhet të ulet terapia dhe sa duhet të zgjasë kjo terapi e mbi të gjitha bilanci paraprak që duhet të bëjnë këta persona që fillojnë terapinë me kortizon dhe ndjekja sidomos e vlerave të glicemisë dhe të presionit arterial, duke ditur që terapia e zgjatur dhe dozë të madhe të kortizonikëve ndikon.Prishja e vlerave të glicemisë, pra ç’ekulibrimi i diabetit ose shfaqja e diabetit tek personat e predispozuar kur përdorin korizonikët dhe vlerat e presionit arterial, që dihet që rriten nga përdorimi i korizonikëve. I bëj thirrje mjekëve të familjes dhe vetë pacientëve që gjatë trajtimit me kortizonik të bëjnë një matje të vlerave të tensionit arterial dhe të glicemisë” –tha Dr.Toti.

Vetëkontrolli i vlerave të diabetit dhe tensionit gjatë kohës kur pacientët kronikë janë të prekur nga infeksion, është shumë i rëndësishëm për marrjen e medikamenteve apo konsultimin qoftë edhe në distancë me mjekun e familjes. 

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›