E Enjte, 5 Nëntor 2026

Këshillimi Kombëtar, Rama: T’u japim mundësi emigrantëve që të legalizojnë kursimet dhe t’i investojnë në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të shtunë një bashkëbisedim me qytetarët në Dibër në kuadër të Këshillimit Kombëtar.

Rama tha se Këshillimi Kombëtar është një përpjekje e re për të ndërvepruar sa më shumë me qytetarët dhe një hap më tutje për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrjet e rëndësishme të qeverisë.

Po ashtu Rama tha se do të shtrojnë në pyetësorin ‘Këshillimi Kombëtar’ për qytetarët pyetjen edhe nëse duhet që emigrantët të deklarojnë të ardhurat e tyre, në mënyrë që të kenë mundësi të investojnë në vendin tonë.

“Ka të tjerë që thonë që këshillimi kombëtar është një nismë propagandistike sepse opinioni i qytetarëve nuk i intereson qeverisë. Po për çfarë arsyeje do duhej ta ndërmerrnim këtë nismë dhe të harxhonim kaq shumë kohë dhe jo pak energji dhe të përfshinim gjithë dynjanë në këtë nismë nëse nuk do donim të dëgjonim opinionin e qytetarëve. Për çfarë arsye do futeshim në një marrëdhënie të gabuar dhe në gojën e shumicës nëse ne do të bënim të kundërtën e asaj që na thotë shumica.

Janë dyshime të mirëkuptueshme, por që nuk kanë asnjë bazë. Ne e duam opinionin e qytetarëve dhe duam që vendimmarrjet tona të jenë sa më shumë të mbështetura tek fryma dhe bindja e shumicës së qytetarëve. Ka njerëz që thonë se këto çështje që kemi shtruar nuk janë të rëndësishme, ka të tjera më të rëndësishme. Unë besoj se ka çështje të rëndësishme, por këto janë më të rëndësishme. Çështja e kursimeve të emigrantëve. Ne e dimë shumë mirë historinë e emigracionit në Shqipëri, përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre për të fituar duke punuar dhe për të kursyer për të ndihmuar dhe familjet.

Ka pa diskutim shumë kursime të emigrantëve të bëra në vite të cilat nuk janë të formalizuara. Procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime nëpërmjet dokumenteve dhe që vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e atyre të ardhurave. Këtu flasim për burim nga puna, jo për aktivitete kriminale. Përderisa në shumë vite dhe qeveri të mëparshme e kanë tentuar këtë vendim dhe nuk e kanë marrë, do të thotë që nuk është një vendim i lehtë.

Për këtë arsye kemi vendosur të pyesim njerëzit, a duhet ne t’i japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna dhe të kenë mundësi që këto para t’i depozitojnë në banka. Dhe pastaj përmes kësaj rruge t’i investojnë në mënyrë të pastër në Shqipëri që do të thotë në mënyrë të dokumentuar, apo nuk duhet. Ky është një vendim jo i lehtë për t’u marrë dhe ne do ta marrim bazuar në atë që do të thonë qytetarët. Ndaj i lutem të gjithëve ta plotësojnë pyetësorë”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›