E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet mjeku turk, në pritje të gjykimit

Nga Express më 12 janar 2011 në ora 15:50

(E plotësuar) Mjeku turk, i implikuar në hetimin për transplantim ilegal organesh në Kosovë, Yusuf Ercin Sonmez, është liruar sot pas marrjes në pyetje nga prokuroria në Stamboll.

Pas intervistimit disa orësh, Sonmez është liruar në shtëpi, deri në fillimin e gjykimit. Lënda e tij tashmë i ka kaluar gjykatës, raporton agjencia turke e lajmeve DHA.

“Doktor Frankeshtajni”, sikur po e quajnë mediat, u arrestua një ditë më parë në Stamboll. Ai kërkohej nga 186 vende, mbi bazën e një fletarresti të Interpolit.

Mediat turke shkruajnë se Sonmez u arrestua gjatë bastisjes në një vilë në pjesën aziatike të qytetit.

Vendndodhja e tij ishte përcaktuar në fillim të janarit, pasi Sonmez ishte kthyer në Turqi.

Sonmez është marrë sot në pyetje rreth akuzave në Kosovë, ka thënë avokati i tij, Husein Sevim.

Për herë të parë, Sonmez u bë i njohur në vitin 1997, në një emision televiziv, kur ishte bërë i ditur se po ua shiste veshkat e të varfërve të pasurve, shkruan DHA.

Deri në vitin 2000, ai është arrestuar tri herë, pasi është zënë në vepër, por para gjykatës ka dalë pas 7 vjetësh.

U arrestua sërish më 2007, kur qëndroi vetëm dy muaj në burg, për t’u liruar në seancën e parë.

Sonmez nuk mund të ekstradohet në Kosovë

Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, ka thënë se në rastin e Sonmezit, autoritetet e prokurorisë në Kosovë janë duke bashkëpunuar ngusht me autoritetet turke. Por sipas saj, është ende herët të thuhet nëse Sonmez do t’i dorëzohet Kosovës.

“Për këtë nuk vendos EULEX-i, prandaj do të duhet të presim për të parë se ç’do të ndodhë”, ka thënë Gudeleviq për REL.

Sidoqoftë, legjislacioni tuk nuk lejon ekstradimin e qytetarëve të saj, "por ofron dëshmitë e shtetasve të saj për drejtësitë e vendeve të tjera, bazuar në vlerësimin e secilit rast".

Nëse dënohen ata e vuajnë dënimin në Turqi.

Zëdhënësja Gudeleviq ka konfirmuar se hetimet mbi atë që tashmë njihet si rasti “Medicus” po vazhdojnë.

Deri më 21 janar, gjykatësi i ngarkuar me këtë rast në Kosovë duhet të vendosë nëse do të konfirmohet aktakuza e ngritur kundër shtatë qytetarëve nga Kosova, të dyshuar për transplantim të paligjshëm organesh në klinikën “Medicus”.

Seanca dëgjimore për konfirmimin e aktakuzës është mbajtur më 6 janar

Prokurori i EULEX-it, Xhonatan Ratel, pati thënë në Prishtinë gjatë seancës konfirmuese për rastin “Medicus”, se personat e varfër ishin dërguar në Kosovë bazuar në premtime false se do të paguheshin nëse jepnin veshkat, të cilat shiteshin në tregun e zi të organeve.

Ratel e kishte përshkruar Sonmezin si “pjesëmarrës kyç në operacionet” e kryera në klinikën private “Medicus”.

Përveç mjekut turk, shtatë shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Izraelit gjithashtu janë të akuzuar për trafikim të organeve në Kosovë.

Aktakuza thekson se ata kanë rekrutuar persona të varfër nga Evropa Lindore dhe Azia Qendrore. Atyre u ishin premtuar rreth 15 mijë euro për organet e tyre, ndërsa pranuesi do të duhej të paguajë deri në 100 mijë euro për një organ të transplantuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›