Frika se Berisha i vjedh sy për sy, opozita kërkon vëzhgues nga Brukseli për zgjedhjen e presidentit
E ka terrorizuar aq shumë vjedhja e mandatit në Tiranë dhe votimi për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë opozitën, sa tani nuk ia ka aspak besën këtij kryeministri kur bie fjala tek vota. Kur po afrohet zgjedhja e presidentit, opozita pritet që të bëjë një kërkesë zyrtare për Brukselin, që të sjellë vëzhgues nga Parlamenti Europian për zgjedhjen e presidentit të ri. Siç raporton e përditshmja Shqip, kjo kërkesë pritet që ti zyrtarizohet Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, i cili do të vizitojë Tiranën.
Burime nga selia rozë thonë se disa eurodeputetë kanë shprehur dëshirën që të jenë në lozhat e Kuvendit për të monitoruar procesin më 24 korrik, në piskun e vapës.
Por edhe Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sannino ka deklaruar se Brukseli do e monitorojë zgjedhjen e presidentit. Me shumë gjasë nuk ka pasur ndërmend një monitorim kaq të detajuar. Por me një njeri që vjedh me transparencë, frika është e madhe.