Shfaqja e Nanos vazhdon me çamët, diskutojnë në kafene për presidentin. Nano: Jemi në rrugën e duhur
Një fuoristradë me xhama të zinj ndalon përpara hyrjes së hotel Rognerit. Është një BMW X5, modeli i fundit. Një truprojë me më shumë bark se muskuj nxiton të hapë derën. Jo atë të pasmen, por të parën, nga ana e shoferit. Nga timoni zbret Fatos Nano, i vetëofruari për president. Nga pas i nxitojnë tre truproja. Nuk kanë nevojë ti hapin derën se hapet automatikisht. Ish- kryeministri shkon e ulet në kafene. Aty janë edhe kryetari i partisë së çamëve, Shpëtim Idrizi, dhe nga pas i vjen deputeti Dashamir Tahiri, i cili mori zjarr para pak ditësh kundër shefit të partisë kur u nda torta e pushtetit, por që tani është qetësuar. Sidomos shëtitjet në korridoret e Capitol Hill e kanë mahnitur Dashin.
Ulen dhe bisedojnë gjatë me Nanon.
Jashtë presin dhjetëra mikrofonë. Bëhen tunel tek dera e Rognerit në pritje të një prononcimi.
Gjithkush pyet, a thua Nano e Idrizi po flasin për të ardhmen e vendit dhe integrimin? Llafe kafenesh, thuhet shpesh.
I pari del Idrizi. Afrohet para mikrofonit dhe thotë se vlerëson kandidaturën e Nanos. Vlerësojmë faktin se presidenti duhet të jetë konsensual dhe me profil të lartë politik dhe publik. Vlerësojmë faktin që presidenti ka një platformë dhe profil të qartë. Ndaj ne vlerësojmë kontributin e Nanos dhe platformën e tij. Për partinë tonë presidenti duhet të jetë garant i Kushtetutës. Të dijë të thotë jo kur ligjet bien ndesh me Kushtetutën. Nano ka një vizion dhe platformë të qartë që garanton Shqipërinë në rrugën drejt integrimit, thotë Idrizi.
Dashamir Tahiri nuk flet, sheh Idrizin dhe ngërdheshet pak.
Më pas del Nano hijerëndë. Nis e flet me fjalitë e zakonshme që nuk thonë asgjë. Përmend integrimin, të ardhmen, konsensusin, bën sikur mat fjalitë, që nuk kanë thelb. Ajo që u mbetet gazetarëve në vesh është: Besoj se jemi në tërësi në rrugën e duhur.
Pastaj dikush nga gazetarët e pyet për… situatën në Maqedoni. Këtu Nano bëhet akoma më serioz e nis e flet si president i sapozgjedhur. Zhvillimet në Maqedoni janë kritike, por unë besoj se partitë politike në Maqedoni kanë eksperiencën dhe kanë dhënë shembujt e mjaftueshëm për integrimin evropian, thotë Nano, i kënaqur nga servirja e një pyetje presidenciale.
Truprojet nxitojnë të hapin rrugën. I vetëshpalluri largohet.
Një shfaqje tjetër. E shëmtuar.
