Frikë nga hasmëria, beratasi i jep fund jetës në Lushnjë
LUSHNJE – Udhëton nga Berati për t’i dhënë fund jetës në qytetin e Lushnjës. Një 50-vjeçar vrau veten pasditen e djeshme me pistoletë, duke i dhënë fund frikës së hasmërisë. Ky duket se ka qenë motivi që e shtyu Gramoz Spahiun që t’i jepte fund jetës me një plumb pistolete. Ngjarja ndodhi pranë një lokali në vendin e quajtur Rotondo e Savrës, në rrugën nacionale Fier-Lushnjë. Dëshmitarët pohuan për policinë se Spahiu ishte ulur në lokal, duke kërkuar për të pirë disa birra. Në një moment ai i kishte kërkuar pronarit një stilolaps dhe një letër. Ka shkruajtur diçka në të, ka paguar dhe ka lënë lokalin. Vetëm pak metra më tej ka nxjerrë papritur një pistoletë, duke e shkrehur një herë në kokë. Policia që mbërriti në vendngjarje ka mësuar shkakun e vetëflijimit në letrën e saposhkruar prej viktimës beratas. “O zot mos m’i lër fëmijët e mi në hasmëri e të varfër”, ka qenë fjalia e vetme e Spahiut. Menjëherë policia e Lushnjës ka verifikuar se viktima nuk ishte banor i zonës, por i Beratit. Pas kontakteve me policinë e qytetit të Beratit është mësuar se Spahiu ishte baba i tre fëmijëve dhe mendohet se e ka kryer vetëvrasjen në kushtet e një depresioni të thellë psikik. Nga të dhënat e para të marra nga policia mësohet se kjo gjendje ishte krijuar prej vitesh, që kur pranë lokalit që Spahiu kishte në pronësi ndodhi një vrasje me disa viktima. Autorët e njërës prej vrasjeve u identifikuan si të afërm të Spahiut. Prej asaj kohe, familjarët e viktimave kishin ngritur një lapidar në përkujtim të ngjarjes së vitit 1997. Pas ngjarjes, Spahiu mësohet se kishte vendosur ta shiste lokalin, por asnjëherë nuk kishte arritur që ta realizonte këtë. Rreth 6-7 muaj më parë, një person ishte interesuar në blerjen e lokalit, por me kusht që të hiqej përkujtimorja e viktimave. Përballë kësaj kërkesë, 50-vjeçari ka tentuar që ta heqë, por familjarët e viktimave kanë reaguar në mënyrë të prerë. Nga frika e ndonjë hasmërie, kjo dhe nga fakti se lokali ndodhej pranë vendin ku u ekzekutuan viktimat 12 vjet më parë, duket se gjendja e Spahiut kishte agravuar. Të paktën ky është dyshimi kryesor i policisë që po merret me hetimin mbi rrethanat e krimit. Letra e lënë nga vetë viktima është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Hetimet janë shtrirë dhe në Berat, ku do të merren në pyetje familjarët e Spahiut për të zbardhur plotësisht motivet. m.r