Ekzekutohet në tunel emigranti fierak
FIER/ MAJLINDA RAMATre adoleshentë masakrojnë e ekzekutojnë emigrantin. Me pesë plumba është qëlluar 32-vjeçari fierak Leonard Hazizaj, i kthyer 6 muaj më parë nga Greqia. Sipas policisë, dyshohet se i riu është rrëmbyer mbrëmjen e Krishtlindjeve, (të enjten), për qëllim grabitjeje e më pas ekzekutuar në ambientet e ish-repartit të tankeve në zonën e Levanit. Hazizaj u gjet nga banorët brenda një tuneli, në afërsi të lagjes “1 Maj” në Levan vetëm mëngjesin e djeshëm. Sipas policisë, të dyshuarit janë tre persona, banorë të Levanit, njëri prej të cilëve i arrestuar. Miço Osmani, 18 vjeç u prangos në kuadër të operacionit të koduar “Tuneli”, i akuzuar se në bashkëpunim me një moshatarin e tij dhe një 17-vjeçar kanë vrarë Hazizajn. Dy të fundit janë në kërkim dhe ende nuk është zbardhur skema e ngjarjes, megjithatë sipas policisë së Fierit, këta persona në bazë të hetimeve intensive të kryera, janë të dyshuarit kryesorë. Sipas burimeve të policisë, viktima është qëlluar me 5 plumba, ndërkohë që koka i është dëmtuar edhe me mjete të tjera rrethanore, duke e shpërfytyruar atë. Si rezultat i këtyre plagëve, kafka e të riut kishte pësuar dëmtime aq të rënda, sa në fillim ka qenë e pamundur të identifikohej kufoma. Banorët sinjalizuan menjëherë policinë. Dhjetëra efektivë, kryesuar nga drejtuesit e policisë lokale mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes nga ku nisën edhe hetimet. Banorët pohuan se gjatë pasdites së të premtes kishin ndjerë një erë të keqe, çka i kishte detyruar ata të kontrollonin vendin përreth për të zbuluar se nga vinte. “Ne kemi pasur raste kur gjenim kafshë të ngordhura apo pula, të cilat fshatarët i hedhin nga kjo anë, pasi është si vend i vetmuar, por nuk menduam kurrë se do të gjenim një trup njeriu. Ishim tre bashkëfshatarë kur u futëm në tunel dhe u përballëm me pamjen e tmerrshme të një trupi njeriu të shpërfytyruar dhe të dekompozuar. Pas kësaj njoftuam policinë”, u shpreh Ferhat Malo, njëri prej banorëve të Levanit, i cili gjeti kufomën. “Pas këqyrjes së kufomës së 32-vjeçarit janë gjetur disa shenja plumbi, gjë që ka vërtetuar se vdekja ka ardhur nga plagët e shkaktuara nga një armë zjarri e tipit automatik. Dyshojmë se viktima është rrëmbyer, mbajtur peng në ambientet e ish-repartit të tankeve dhe më pas është ekzekutuar me armë zjarri. Vrasja e të riut mund të ketë ndodhur 2 net më parë”, deklaroi policia. Identifikimi i trupit të viktimës u bë pas një pune hetimore prej disa orësh. Gjatë mbledhjes së informacioneve të para për viktimën, mësohet se 32-vjeçari kishte jetuar për disa vite në Greqi, por rreth 6 muaj më parë ai ishte kthyer në Fier. Fillimisht u hodh pista e ndonjë hakmarrjeje, por pas shoqërimit të mbi 30 personave, rrethi i të dyshuarve u ngushtua te tre djemtë nga Levani. Ndonëse ende nuk është zbardhur plotësisht skena e krimit dyshohet se tre personat e kanë përgatitur më parë planin. Nisur dhe nga fakti se viktima kishte të fejuarën në fshatin ngjitur me ta kanë menduar planin e grabitjes. Dyshohet se ata janë afruar deri afër zonës ku ndodhi krimi me makinën e emigrantit, një “Nissan” me targa greke. Më pas, pas ekzekutimit mund ta kenë larguar atë 2 km larg, me qëllim humbjen e gjurmëve nga vendi ku ndodhi krimi. Policia është ende në kërkim të dy të dyshuarve të tjerë, për të dhënë një variant të saktë të krimit makabër.