Frikë nga helmimi

Jaho Salihi merr ushqim të garantuar që i serviret vetëm nga dora e kuzhinierit të burgut. Edhe në ajrim ai del i vetëm
BURREL - “Nëse helmohem unë, di ku ta kërkoj gjakun”. Kështu mësohet të jetë shprehur Jaho Mulosmani (Salihi), i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e deputetit të PD-së në vitin 1998, Azem Hajdarit. Mulosmani, i cili vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ka frikë të ushqehet dhe njëkohësisht t’i serviret ushqimi nga persona të tjerë, përveç kuzhinierit të burgut, me të cilin ai ka biseduar dhe ka rënë paraprakisht dakord për këtë çështje. Duket se ai i trembet ndonjë tentative të mundshme për ta hequr qafe, nisur edhe nga fakti se vetëm pak muaj më parë, saktësisht në prill të këtij viti, Mulosmani refuzoi “ftesën” e dy bashkëvuajtëseve të tij, Pashk Lleshi e Fran Marashi, për t’u arratisur nga burgu i sigurisë së lartë. Kërkesa për ushqimin nuk është refuzuar nga autoritetet e burgut të Burrelit në asnjë moment. Ish-drejtuesit e mëparshëm dhe ata që aktualisht e menaxhojnë burgun janë njohur me këtë kërkesë të Jahos dhe në asnjë moment nuk e kanë refuzuar. Nga të gjithë është konsideruar një kërkesë normale dhe e drejtë. Burime të sigurta informacioni bëjnë të ditur për “Korrierin” detaje nga jeta në qeli e Jaho Salihit. Kështu mësohet se, përveç faktit se çdo vakt ushqimi i serviret vetëm nga dora e kuzhinierit të burgut, ndryshe nga të dënuarit e tjerë ai ajroset i vetëm. Jaho Mulosmani, ndryshe nga shumica e të dënuarve të tjerë, nuk del në regjimin e ajrimit së bashku me bashkëvuajtësit, por i vetmuar. Thuhet se këtë të drejtë ai e ka fituar me vendim gjykate. Ndërkohë, punonjës të sigurisë në këtë burg pohojnë se Mulosmani del në ajrim i vetmuar, pasi kështu kanë urdhëruar autoritetet e burgut. “Për persona që paraqesin rrezikshmëri, që u rrezikohet jeta apo rrezikojnë të tjerët, drejtoria e institucionit vendos që ata të kryejnë ajrimin, takimet, vizitat tek mjeku, lëvizjet nëpër dhoma etj., në kushte sigurie më të lartë”, sqaruan gardianë të burgut të Burrelit. Madje, punonjës të sigurisë që zakonisht kryejnë shërbimin në tarracën e burgut, nuk hezitojnë të thonë se Jaho e kryen regjimin e ajrimit në një mënyrë më të veçantë nga të tjerët. Ai lëviz vazhdimisht rrëzë murit të sheshit të ajrimit, në mënyrë të atillë që kurrë të mos diktohet nga banorët e pallateve përreth burgut. “Vishet bukur, mban zakonisht rroba sportive. Është mjaft i komunikueshëm dhe mbahet pastër. Është i qetë dhe nuk komunikon me askënd. Vazhdimisht stërvitet në sheshin e ajrimit, por duke mbajtur parasysh mosekspozimin e tij, pra për të mos u dalluar nga njerëzit jashtë burgut, duke paramenduar ndonjë atentat të mundshëm nga jashtë”, sqarojnë burime pranë burgut të Burrelit. Gjashtë herë në javë ai komunikon me njerëzit e tij të afërm, pasi ka siguruar lejen e autoriteteve të burgut. Ndryshe nga të dënuarit e tjerë, Jaho Mulosmani është një lexues i rregullt i gazetave dhe shikues i stacioneve televizive. Ka siguruar me lejen e drejtuesve të burgut linjë kabllore për të parë të paktën 30 stacione televizive, shqiptare dhe të huaja. Kjo bëhet për të parandaluar sherret, konfliktet apo hakmarrjen mes të dënuarve. Mësohet gjithashtu, se në burgun e Burrelit ka të dënuar që janë në hasmëri me njëri-tjetrin, për të cilët administrata bën kujdes që ata të mos kenë pika kontakti mes tyre. Janë më shumë se 40 të dënuar me burgim të përjetshëm në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, mes të cilëve edhe Zani Çaushi, të cilët janë të detyruar me urdhër të titullarëve të zbatojnë të tjera norma e rregulla.
“Të fortët” e burgut të BurrelitNë burgun e sigurisë së lartë në Burrel vuajnë dënimin mjaft figura të njohura të botës së krimit. Përveç Jaho Mulosmanit, aty ndodhen edhe Zani Çaushi, Gazmend Braka, i njohur ndryshe edhe si Gaxhai, Lulëzim Caka etj. Pak muaj më parë nga ky burg u arratisën dy persona, ndërsa ishte parashikuar një arratisje edhe më e madhe e rreth 70 të burgosurve që ndodhen këtu. Për shkak të kushteve të papërshtatshme që ka ky institucion i vuajtjes së dënimit, Avokati i Popullit në një letër drejtuar kryeministrit Berisha ka rekomanduar mbylljen e tij.