E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Europian: Ja problemet e Shqipërisë

Korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiku i qenieve njerëzore janë tre cështjet ku Shqipëria “ngelet në klasë” në raportin që Komisioni Europian do të publikojë javën e ardhshme. 

TIRANE- Shqipëria vazhdon të mbetet problematike në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore. Ky është konkluzioni i progres raportit të Komisionit Europian i cili pritet të publikohet më 5 nëntor. Disa media kanë publikuar sot pjesë nga raporti i cili do të zyrtarizohet javën e ardhshme në Bruksel dhe ku raportohet situata në të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Raporti vlerëson përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin por evidenton se korrupsioni mbetet i shtrirë gjerësisht dhe përbën një problem shumë serioz.

Po kështu progres të kufizuar – vlerëson raporti i KE -është bërë dhe në luftën kundër krimit të organizuar për shkak të korrupsionit dhe mbrojtjes së dobët të dëshmitarëve. Pika e tretë, kritike për Shqipërinë mbetet lufta kundër trafikut të qënieve njerëzore, ku progres-raporti vlerëson se mbetet ende një problem serioz, me të cilën qeveria dhe shtetit shqiptar duhet të merret seriozisht.

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar edhe në luftën e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës. Në raport vlerësohet se institucionet duhet të vazhdojnë punën e tyre për të qenë plotësisht të depolitizuar, ndërsa shtohet se është shënuar progres në këtë fushë.

Sipas raportit ka pasur progres në reformimin e sistemin gjyqësor, por funksionimi vazhdon të jetë i varfër dhe mbetet shumë punë për garantimin e pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit.

Raporti i Komisionit Europian i cili do të publikohet më 5 nëntor do të miratohet më pas nga Kolegji i komisionerëve një javë më vonë.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›