E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prano Kosovën, ik nga e shkuara

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, kërkoi që Serbia ta lërë Kosovën të ecë në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe të ndërtimit të shtetit. Ministri Basha i bëri komentet në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve që po mbahet në Tiranë, me të 48 ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve diplomatike të Shqipërisë në botë. Ministri Basha tha se Shqipëria përcjell me shumë vëmendje qëndrimin e autoriteteve të Beogradit dhe se po përpiqet që të kuptojë, sikurse e cilësoi, “logjikën e gjithë asaj veprimtarie bllokuese e frenuese të të gjithë aparatit dhe makinerisë serbe ndaj Kosovës, në kundërshtim të plotë dhe frontal me politikën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërkohë që janë po të njëjtët që kërkojnë të përfitojnë maksimalisht në rrugën e përafrimit evropian”. Sipas ministrit Basha, nuk ka mundësi tjetër për udhëheqjen serbe, përveçse të këshillojë komunitetin serb në Kosovë që të gjejë vendin që i takon në një shoqëri shumetnike në shtetin më të ri në botë, që është njëkohësisht edhe shteti i dytë shqiptar. Ministri iu referua gjatë çështjes së Kosovës, duke kujtuar se 17 shkurti i këtij viti, dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës (një krahinë etnike e Shqipërisë që iu dha Serbisë në vitin 1913 në Konferencën e Londrës), “ku iu dha fund dilemave dhe paqartësive, hamendjeve dhe hezitimeve, skenarëve dhe opsioneve. Ne mendojmë se është koha që Serbia ta lërë Kosovën të ecë në rrugën e ndërtimit të shtetit të të gjithëve, të shohë drejt së ardhmes së saj, duke u ndarë nga e kaluara që nuk e çon askund. Ne besojmë sinqerisht, se pavarësia e Kosovës e ka çliruar edhe vetë shoqërinë serbe nga një barrë e së shkuarës komunisto-millosheviçiane, nga një trashëgimi që mbart plagët e dominimit dhe diskriminimit, duke i hapur kështu rrugën popullit serb që të shohë përpara, drejt së ardhmes së tij legjitime evropiane. Çdo përpjekje për të frenuar këtë proces, për të rishkruar ngjarjet, është sa e pavend, aq edhe e kotë, sa iluzive, aq edhe pa efekt. Askush nuk mundet të kthejë më Kosovën në Serbi dhe askush nuk duhet të ushqejë ndonjë iluzion se një gjë e tillë është e mundur”, - tha Basha.

Gjykata për pavarësinë

Ndonëse diplomacia e Shqipërisë dhe disi më pak ajo e Kosovës, krahinës së saj etnike, e pavarur sot, humbi mundësinë (edhe për efekt koniunkturash) në Asamblenë e Përgjithshme të PKB-së për të mosmiratuar rezolutën e Serbisë për vlerësimin juridik të aktit të 17 shkurtit, ministri Basha tha se Beogradi po lufton me të pamundurën. Basha tha se duke u nisur nga të gjithë zhvillimet e deritanishme, Shqipëria e vlerëson nismën serbe në OKB si “të panevojshme, jashtë kohe dhe, në analizë të fundit, pa efekt”. Ai shprehu bindjen se, pavarësisht se cili do të jetë opinioni që mund të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, “ai do të jetë një mendim dhe jo vendim, dhe nuk do të mund të influencojë atë që është materializuar tashmë në Kosovë, zhvillimi i një shteti dhe shoqërie sipas parametrave të demokracisë perëndimore dhe në paqe, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët e saj”. Për ministrin e Jashtëm, Basha, Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se ajo nuk mund të ecë njëkohësisht në dy drejtime të kundërta. “Autoritetet serbe duhet të bëjnë një zgjedhje, atë që është e rëndësishme dhe primare për popullin serb ndaj një qëndrimi që është tashmë i tejkaluar dhe relikte e së shkuarës”, - tha ai. Sipas Bashës, Shqipëria nuk do të lodhet së përsërituri, se “midis serbëve dhe shqiptarëve duhet të ngrihet një proces pajtimi, sipas modelit të pajtimit franko-gjerman”. Ai mori shembull të ashtuquajturin “pajtimi madh”, referuar dy popujve prijës të Evropës së re të pas Luftës së Dytë Botërore. Ndaj, sipas shembullit franko-gjerman, Basha tha se edhe brezat e rinj kosovarë e serbë nuk duhet të vazhdojnë të rriten me ndjenjën e armiqësisë që u transmeton trashëgimia e hidhur. “Politikanët e sotëm kanë detyrë që barrën e rëndë të historisë ta shndërrojnë në ndjenjë pranimi të tjetrit në hapësirën e përbashkët. Të gjithë e dimë: politika serbe ka qenë në origjinë të katastrofës ballkanike, është po ajo e sotmja, por me një brez politikanësh të rinj e modernë, që mund t'i japë një shtysë të fuqishme pajtimi rajonit tonë. Është pikërisht pranimi i pavarësisë së Kosovës, që do ta çlirojë përfundimisht Serbinë, pasi do t’i lejojë asaj t’i kushtohet tërësisht së ardhmes evropiane dhe të mos humbë kohë duke përtypur të shkuarën”, - tha Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›