E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të njohësh realisht vetveten

Libri “Arratisja nga burgjet e historisë” i Piro Mishës. Një takim që deri më sot nuk është bërë publik.

“Arratisja nga burgjet e historisë” (ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar) vjen me një gjuhë të qartë, elegante, përmes një rrjedhe të përpunuar zhanror që, në këtë shkallë artikulimi, nuk është shfaqur shpesh në letërsinë dhe publicistikën tonë. Edhe pse shtron e rreh një çështje shoqërore e kombëtare nga më të ndjeshmet, edhe pse del qartësisht i prerë në përcaktim përballë tezave, me të cilat hyn në polemikë, autori ka konsideratë ndaj tyre që mendojnë e janë shprehur ndryshe. Përpara tyre ai vë vetëm fakte dhe argumente, mbi të cilat i mbështet bindjet e veta. Vendosmëria deri në rreptësi, në mbrojtje të qëndrimit, bindjes dhe arsyes, në esenë e Piro Mishës për asnjë çast nuk e kalon korrektësinë e polemistit të vërtetë.

Gjatë leximit të “Arratisja nga burgjet e historisë”, ndjeva nevojën të shfletoj fletë nga shënimet e mia, të cilat lidhen pikërisht me temën që shtron Piro Misha. Mbase për të ilustruar disa nga dilemat lidhur me imazhin tonë mbi veten, po jap këtë fragment. Në një takim në vjeshtën e vitit 1990, në Vjenë, me të dërguarin e Ramiz Alisë, Sofo Lazrin, për herë të parë ndjeva plasaritjet e para, sado të largëta e të mjegullta, të pasqyrës ku shiheshim. Takimi, që nuk është bërë publik deri më sot, u kërkua nga Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, zoti Alia – me Ibrahim Rugovën. Kryetari i LDK-së nuk ishte i gatshëm për një takim të tillë, por nuk kundërshtoi që Bujar Bukoshi dhe unë të shkonim në këtë takim.

Ali ALIU

“Arratisja nga burgjet e historisë” (ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar) vjen me një gjuhë të qartë, elegante, përmes një rrjedhe të përpunuar zhanror që, në këtë shkallë artikulimi, nuk është shfaqur shpesh në letërsinë dhe publicistikën tonë. Edhe pse shtron e rreh një çështje shoqërore e kombëtare nga më të ndjeshmet, edhe pse del qartësisht i prerë në përcaktim përballë tezave, me të cilat hyn në polemikë, autori ka konsideratë ndaj tyre që mendojnë e janë shprehur ndryshe. Përpara tyre ai vë vetëm fakte dhe argumente, mbi të cilat i mbështet bindjet e veta. Vendosmëria deri në rreptësi, në mbrojtje të qëndrimit, bindjes dhe arsyes, në esenë e Piro Mishës për asnjë çast nuk e kalon korrektësinë e polemistit të vërtetë.
Diskursin eseistik të këtij autori, ndër të tjera, e veçon edhe kultivimi mjeshtëror i një tipari të efektshëm të parashtrimit të argumenteve: qasja drejt thelbit të temës së shtruar përmes pyetjeve, përqasja e vetëdijshme për peshën e çështjes së shtruar në debat dhe, përmes kësaj rruge, ndriçimi i shpejtë i thelbësores. Edhe pyetjet nuk tingëllojnë si retorikë formale, por si rruga më e përshtatshme e të kuptuarit - përmes pyetjes shfaqet me qartësi të plotë objekti i shtruar. Fjalitë me këtë ngarkesë dhe në këtë funksion, duke depërtuar në thellësi të çështjes, bartin mbi vete zakonisht edhe përgjigjet, pra shtigjet e mundshme nga duhet ecur. Kështu, Piro Misha i beson efikasitetit të shkollës së lashtë se gjetja e pyetjes së vërtetë, madje edhe për çështjen më të rëndë e më të komplikuar, e lehtëson dhe e mundëson gjithashtu gjetjen e përgjigjes.
Dhe, ana më e rëndësishme e veprës së Mishës, e zërit polemik që u kundërvihet qëndrimeve të skajshme, të majta e të djathta, islamike e të krishtera, evropiane dhe aziatike, është fakti që ai e ruan të shenjtë – me gjithë të mirat e të ligat - përkatësinë identitare të etnisë. I tillë del edhe përballë ndonjë oponenti që, në frymën e thënies ‘stacioni i fundit i maskarenjve është patriotizmi’, e përjashtojnë nga lagja e fisit të vet të padëshiruar... Eseja e Piro Mishës prandaj, gjatë tërë shtrirjes në veprën ‘ Arratisja nga burgjet e historisë’, duke prekur edhe periudhën dhe procesin e islamizimit të shqiptarëve, çka autori me të drejtë e konsideron njërën nga arsyet e vonesës sonë drejt zgjimit kombëtar, do të ecë në perspektivën e vizionin e Mit’hat Frashërit: “... lokalizma dhe kantonizma t’i lënë vendin patriotismës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse të fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementët që e kishin kujtuarë veten të ndarë dhe të huaj nga njëri tjetri nisin të njësohenë, të ndjehenë solidarë. Me një fjalë, fiset të bëhen komb”. Këtë fazë-proces të ngjizjes së identitetit shqiptar, autori e gjen në dhjetëvjetëshat e parë pas pavarësisë.

* * *
Pyetja, dilema se ç’do të thotë sot të jesh shqiptar, vetvetiu të jehon si refren hamletian që shtrihet gjatë tërë librit. Sa më shumë që përballesh me vizionin, me shqetësimet, dilemat, faktet pro e kundër tezave të autorit dhe oponentëve, fjalia si titull alternativ i librit s’të ndahet, e ngarkuar herë me shqetësim dramatik, herë me përshtypjen se ka arritur ta ndriçojë kompleksitetin e çështjes. Po ashtu, të vjen vetvetiu të besosh se shtrimi “ç’do të thotë sot të jesh shqiptar”, me të njëjtën brengë e shqetësim dramatik ka jehuar hapësirave shqiptare përgjatë dy shekujve të fundit. Rrethanat kur e shtronin këtë dilemë rilindësit, ishin fare tjera nga ato në prag të pavarësisë, ato mes dy luftërave dhe deri në kohën tonë. I përbashkët, ndërkaq, ngel synimi për artikulim identiteti harmonik dhe të plotpranueshëm, ashtu si dhe kakofonia që s’pushon, sado e ngjirur, të jetë e pranishme edhe sot. Pra, ç’do të thotë të ishe shqiptar në atë kohë, kur e kishte të qartë rrezikun e zhbërjes së kombit të vet, gjë që e synonin fqinjët, pas rënies së perandorisë osmane e në mungesë të ndërgjegjësimit të plotë kombëtar? Si jehon kjo pyetje në rrethanat e Konicës, Fishtës, Mit’hat Frashërit, Zogut? Duke veçuar nyjet kryesore të procesit të kombformimit shqiptar, eseja e Piro Mishës arrin ta ndriçojë kompleksitetin e procesit që, për fat të keq, në disa pika mbetet i hapur.
Pjesën më nxitëse të librit e përbëjnë esetë që shtrojnë çështje dhe nxisin debat në periudhën e njëzet viteve të fundit. Janë dilemat dhe ngjarjet nga më të rëndësishmet në historinë tonë kombëtare që njëkohësisht kanë lëvizur, mbase edhe kanë zhvendosur pamjen, autopoetretin e shqiptarëve, që e kanë përthyer bindjen, iluzionin tonë mbi vetveten, e njëkohësisht edhe imazhin që të tjerët kanë sot për ne. Gjithnjë në këtë frymë, eseja të nxit të përsiasësh në drejtim të njohjes e vetënjohjes, duke sjellë në përfytyrim nyjet vendimtare historike në rrugën e kombformimit dhe duke i vendosur ato brenda mozaikut të lëvizjeve globale e lokale sot... Vepër që të vë në mendime: pse tërë hallet dhe pakënaqësinë e përditshme i gjen te shqiptaria jote, pse duke ia tundur para syve asaj katandisjen morale dhe të tjera, jemi në gjendje ta mallkojmë dhe ndërkaq para të huajve ndjejmë nevojë të ethshme ta marrim në mbrojtje? Cilin në fakt e mbron atëherë, shqiptarinë apo sedrën personale? Të vë në mendime edhe sjellja e atyre arbërorëve që, përballë shpërfilljes e fyerjes së shqiptarisë, zgjedhin rrugën e bashkëpështytsave, mbase duke besuar – ashtu siç mund të dëgjohet, se në këtë mënyrë e ndihmojnë shqiptarinë e vet që të shërohet sa më shpejt nga katandisja... Mos, vallë, edhe kjo prirje radhitet në regjistrin e ceneve tona, në ditët kur fqinjët tanë, sot e një shekull, vazhdojnë të gëlltisin hapësira arbërore... Libri “Arratisja nga burgjet e historisë” i Piro Mishës, i rëndësishëm dhe sidomos i qëlluar në kohë, ta nxitë sa kujtesën, aq edhe imagjinatën për rrjedhat historike reale dhe të mundshmet, ato që kanë qenë të mundshme dje e janë sidomos nesër, të ofron më tepër dëshpërim e pak çaste optimizmi.

* * *
Gjatë leximit të “Arratisja nga burgjet e historisë”, ndjeva nevojën të shfletoj fletë nga shënimet e mia, të cilat lidhen pikërisht me temën që shtron Piro Misha. Mbase për të ilustruar disa nga dilemat lidhur me imazhin tonë mbi veten, po jap këtë fragment:
Gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit të njëzetë dhe atij të fillimshekullit të ri, në historinë tonë ndodhi edhe një thyerje e madhe në pasqyrën e vetëimazhit tonë. Plasja e saj, e pasqyrës, bëri zhvendosje dramatike të kuptimit tonë për veten, të njohjes dhe vetënjohjes sonë. Ishte në rrethana të ndryshme krisja ndër shqiptarët jashtë shtetit dhe asaj brenda shtetit shqiptar, prandaj e ndryshme edhe për nga intensiteti dramatik dhe karakteri psikologjik...
Në fillim të viteve ‘80/90, siç dihet, Kosova kishte hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me Sërbinë dhe kthim nga nuk mund të kishte. Vetja shqiptare në ish-Jugosllavi, duke patur së toku një ëndërr, ishte thellësisht e bindur se ka një zë, se është grusht unik... Pjesëmarrës aktiv të ëndrrës së vet e quante edhe shtetin amë, prandaj, përballë kundërshtarit, në pasqyrën e tij e shihte veten një komb. Të tillë e shihte veten shqiptaria jashtë Shqipërisë, sidomos gjatë dy dhjetëvjetëshve të fundit të shekullit të njëzetë.
Në një takim në vjeshtën e vitit 1990, në Vjenë, me të dërguarin e Ramiz Alisë, Sofo Lazrin, për herë të parë ndjeva plasaritjet e para, sado të largëta e të mjegullta, të pasqyrës ku shiheshim. Takimi, që nuk është bërë publik deri më sot, u kërkua nga Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, zoti Alia – me Ibrahim Rugovën. Kryetari i LDK-së nuk ishte i gatshëm për një takim të tillë, por nuk kundërshtoi që Bujar Bukoshi dhe unë të shkonim në këtë takim...
Pas pyetjes sonë, drejtuar të dërguarit të Presidentit të Shqipërisë, meqë sot a nesër konflikti me Serbinë do të jetë i pashmangshëm, ç’mund të presim nga Shqipëria, dëgjuam përgjigjen: Po na ngushtoni... Pas afro një viti, LDK hapi zyrën e Kosovës në Tiranë, ku qëndrova deri nga fundi i vitit 1992. E pashë nga afër atë që ngjante si shfrim kolektiv shqiptar, rrugëve të Tiranës, turmën që shkatërronte dhe grabiste pasurinë publike. Të jetë e tërë kjo një zbrazje, pastrim nga terrori i diktaturës, një duf kalimtar dhe Shqipëria –do ta marrë veten shpejt, dhe ne nuk do të jemi të vetmuar? Fillova të jem shpesh mysafir i televizionit të vetëm publik. Besoja ende se të qenit një i shqiptarëve në Kosovë, s’ka si të mos ndodhë edhe në Shqipëri. Në paraqitjet e mia, sillja shembuj konkretë nga solidariteti kosovar që, atyre viteve, ngjante si një familje e vetme, e madhe, që funksiononte në harmoni dhe për të cilën besonim se e tillë do mbetej e do funksiononte përjetë...
Isha i bindur aso kohe se shqiptaria kosovare ishte gatuar si e tillë, si e përjetshme. Luhatjet e para u vërejtën në fillim të nëntëdhjetave, kur me ne nisën të habiteshinn delegacionet e shumta ndërkombëtare që vinin në Kosovë: Ju, përmes rezistencës kolektive, mbase po shkoni edhe drejt konfliktit me Sërbinë, ndërkohë që po themeloni dhjetëra parti e grupacione të ndryshme. Me këtë portret të vetin në pasqyrë, Kosova shkeli edhe në konfliktin e armatosur me Sërbinë. Ditën kur ishte çliruar vetëm gjysma e Prishtinës, pjesa lindore e qytetit, në dyert e xhamat e shumë lokaleve dhe hapësirave publike ishin ngjitur pllakate: Mos prek – UÇK...
S’kishte mbetur as grimë nga idili i solidaritetit mes shqiptarisë kosovare. Koha që po rrjedh, e për të cilën ende i japim kurajë vetes duke e quajtur fazë tranzitore, veçohet përmes një tjetër marrosjeje, këtej dhe andej kufijve të shqiptarisë: grykësia marramendëse e kastës politike, duke gërryer hapësirën më të varfër të Europës. E kështu, sërish kthehet refreni i shtruar i Piro Mishës, ç’do të thotë sot të jesh shqiptar? Në cilën periudhë dhe në cilën kthesë historike ka tingëlluar më dramatike pyetja?

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›