Gjysma nuk i flet gjysmës tjetër
Bardhyl LONDO
Pikëllimi i Pargës
Pikë-pikë pikojnë pikëllim pishat e Pargës,
dëbora derdhet dredhave dritëujë deri në deltëdet.
Endem. Eci.
Eci. Endem.
Endacak. Emigrant.
Trishtimi trondit tej e tej tejzat time trupore.
Perënditë pellazgjike paralajmërojnë profeci përmbytjesh,
kryqëzata kryqtarësh,
tjetërsim tempujsh,
eksode endjegjata,
dëbime dodonash.
Kafenetë kanatat kthejnë në kapakë katafalkesh
kapërdijnë klientë,
kapërdijnë këdo që kalon,
të parin, padyshim, mua mërgimtarin,
idhtarin e itakave.
Endem. Eci.
Eci. Endem.
Varrvithisur, vrervrerosur,
pa djep, pa deltëderdhje.
Pikë-pikë pikëllimi im pikëllon pishat e Pargës.
Pargë, shkurt 2009
Një gotë verë në Pargë
Si një pelegrin i rikthyer në tempull
etjedjegur nga rruga e largët,
në kafenenë e parë buzë detit rrëkëllej një gotë verë
dhe pi Pargën.
Takim me Dodonën*
Pret e pret
mëma mitike
rrugës rendin rrebeshe rëmete
qyqeqytetërime.
Pret pema pellazgjike përkrenaren e Pirros
Dodona dridhet - dilemë dritëhije.
Me lisat lison, me lulet lulon
Mbi mbretërit mbretëron, me njerëzit njerëzon
Perëndi e perëndive.
Tej Tomorri tund
Krifën kreshtakërleshur.
Kroni kronon.
Folmë fjalëflutur,
heshtoje heshtjen
mëmë mitike.
…Dodona u drodh.
Makina me targë TR
Dy drita breroi mbi ballin e saj të bukur -
Dy drita -
përshëndetje pellazgjike.
Gumenicë ,shkurt 2009
------------------
*)Buzë rrugës Janinë-Gumenicë është tabela që tregon tempullin e Dodonës (greqisht: Dodoni).
Të shkosh në Litharicë*
Të shkosh në Litharicë me traget më e pasigurtë është
se të udhëtosh në anijet e Odiseut. Peristeri
dhe Micikeli* në një puthje më vdjekjeprurëse mund të të përpijnë
se puthja e Shillës dhe Haribdës. Të shkosh në Litharicë
më e frikëshme është se në ishullin e Circes. Vasiliqia
më keq se çdo Circe mund të të ngurosë. Në Litharicë
pabesi pritash kobzeza të presin në çdo çast. Dhe pastaj
koka në Stamboll trupi në Janinë. Në Litharicë
më tepër se kudo mund t’i humbasësh të gjitha itakat. Në Litharicë
pasuritë mund të të vjedhin, bujkrobërit, gruan. Në Litharicë
me një alltie artizanale mund të të vrasin. Në Litharicë
vetë padashur mund të kthehesh në pabesi, pritë. Në Litharicë
më mirë se kudo e kupton fjalën pabesi dhe fjalën kob.
Megjithatë, megjithatë Ali Pasha më tepër se kudo në Litharicë
ndjehem i lodhur nga të qenit bujkrob.
Janinë, shkurt 2009
-------------------
*)Ishulli në liqenin e Janinës, ku u masakrua Ali Pasha.
*)Male që rrethojnë Janinën dhe liqenin e saj.
Rikthimi në Tempull
U riktheva në tempull. Ata që më dëbuan
nuk mund të ishin të përjetshëm. Shpatën kush ngre
nga shpata do të vdesë. Urrejtja
si një kone e mbledhur kutullaç fle në shpirtin tim. Fali, o Zot, pëshpëris
se nuk dinin se ç’bënin. Priftërinjtë pellazgjikë
litanira më këndojnë në një gjuhë të lashtë të pakuptueshme. Po
ç’duhet vallë gjuha, kur shpirti i kupton aq mirë? Virgjëreshat
damarët e qafës më fërkojnë. Më kot i lodhin duart pulëbardhat
damarët e mi janë kalçifikuar nga stresi i mungesës. Druri
i dafinës prej shekujsh është tharë. Kurora e lavdisë
sendi më i pakuptimtë më ngjan tani. Po fundja
ç’vlejnë të gjitha këto para rikthimit? Sepse
rikthimi në tempull më i vështirë është se
kthimi në Itakë. Pra, dhe më i bukur.
Prostitutat e qytetit të madh
Si do t’ia bëjmë për një flirt sonte, sepse
për dashuri as që bëhet fjalë. Në hollin e hotelit Kosmos
prostitutat presin në radhë. Gjunjëzbuluar nëpër kolltukë
të gatëshme të fusin mes gjunjëve qytetin e madh. Jashtë
dritat e makinave bien mbi dëborën e pistë. Rrugët e qytetit
ndotin me llumëtirë menustracionesh. Menopauza
kurrë s’do ta shterpojë këtë qytet. Vetëm vetmia
qenka e tmerrëshme në këtë qytet të zhurmshëm. Madje
vetmia me kurvat pranë më e zezë është
se vetë varri. Vetëm vetminë ka të madhe ky qytet. Vetë
është aq i vogël sa futet në shalët e një prostitute. Por
si do t’ia bëjmë për një flirt sonte sepse
për dashuri as që bëhet fjalë.
Vetminë vrite me kurvën e parë. Nesër
do të lindë një qytet i madh si ky. Sepse
vetëm nga flirtet, kurrë nga dashuritë, kanë lindur qytet e mëdha.
Moskë, tetor 2006
Poetët në Lodevë*
Poetët latinë derdhen rrugëve të Lodevës
me një shushërimë zanoresh ndër vargje
siç derdhet vera nga shishja në gotë.
Arabët numërojnë qindarkat e honorarit
duke kërkuar supermarketin më të lirë.
Nordikët shkrijnë nga vapa
si një copë akulli në gotën e uiskit.
Secili veç e veç mendon se është poeti më i madh në Lodevë
Dhe gjysmë me përçmim, gjysmë me mëshirë
shikon nga lart poetët e tjerë.
Gjysma e poetëve të Ballkanit nuk i flasin njëri-tjetrit
Dhe secili mendon se është poeti më i madh i globit.
---------------
*)Qytet në Francë ,ku zhvillohet një nga takimet më të mëdha të poezisë në Evropë.
Në Barcelonë me Petro Markon
Në Portin e Vjetër Petro Markon pashë
me Kolombin u nis për të zbuluar Botën e Re
(medet, kudo e pritën burgjet e të gjitha diktaturave).
Dhe u thinj brenda natës.
Në sheshin Katalonja, në sheshin e statujave dhe shatërvanëve
U ul pastaj për një kafe
dhe menjëherë u shndërrua në statujën e mirësisë.
Në sheshin Spanja një cigare ndezi në cep të buzëve
për të mos e shuar kurrë
një cigare të markës No pasaran.
Vonë në mbrëmje duke dihatur u ngjit në katedralen
që zotëron qytetin (hëna i rrinte mbi kokë si sombrero)
dhe u shndërrua në shenjtor.
Në agim, në agimin e thellë,
ra të flerë.
Nuk më kujtohet se ku
në Ramblan e famshme, në Barri Gotik, në metro,
në rrugë a në një park
vetëm mirë e mbaj mend
fjeti në një shtrat me Barcelonën.
Barcelonë, tetor 2008
30 Mars 2009