Kapërcimet si mundësi e shkrimtarit
Kalimet dhe kapërcimet, në vetvete, nuk na garantojnë apo tregojnë ndonjë gjë, ndërsa suksesi apo dështimi i tyre, përsa i takon forcës bindëse, varet nga mënyra e veçantë me të cilën rrëfimtari i përdor kalimet në një rrëfim të caktuar; i njëjti pro
Mario Vargas LLOSA
Kalimi mund të jetë një kalim hapësinor, një kalim kohor apo një kalim nga një rrafsh i realitetit në një tjetër. Zakonisht, dhe veçanërisht në shekullin e njëzetë, romanet kanë rrëfenjës të shumëfishtë: herë-herë personazhe-rrëfenjëse të ndryshme, si te libri i Faulkner-it “Teksa pres vdekjen i shtrirë”, ndonjëherë një rrëfimtar të jashtëm të gjithëditshëm dhe një ose më shumë personazhe-rrëfimtare, sikundër ndodh tek “Uliksi” i Joyce-it. Pra, sa herë që ndryshon këndvështrimi i historisë - dhe ai ndërron sa herë ndodh një kapërcim te rrëfimtari, i cili kuptohet kur veta gramatikore kalon nga ai tek unë, nga unë tek ai, ose kur kalon në veta të tjera – gjithnjë ndodh një kalim hapësinor.
Në disa romane këto kalime janë të shpeshta, në disa të tjera të rralla dhe vetëm rezultati i fundit na tregon nëse janë të dobishme apo jo dhe nëse e përforcojnë apo e dëmtojnë forcën bindëse të rrëfenjës. Kur kalimet hapësinore janë të efektshme, mund të na japin një ide të plotë, të ndryshueshme, madje edhe globale e gjithpërfshirëse të një rrëfimi (duke na krijuar kështu iluzionin e pavarësisë nga bota e vërtetë, gjë që, siç e kemi vënë re, aspirojnë ta arrijnë të gjitha botët letrare). Kur kalimet nuk janë të efektshme, mund të sjellin paqartësi: lexuesi humbet fillin nga kapërcimet e papritura dhe arbitrare në këndvështrime.
* * *
Ndoshta më pak të shpeshta sesa kalimet hapësinore, janë kalimet kohore, lëvizjet e rrëfimtarit në kohë, të cilat e bëjnë një rrëfenjë të shpaloset para syve tanë njëkohësisht në të shkuarën, në të tashmen ose në të ardhmen. Në rast se teknika përdoret si duhet, këto kalime i japin historisë iluzionin e totalitetit kronologjik, të vetëmjaftueshmërisë kohore.
Ka shkrimtarë që janë të fiksuar pas temës së kohës..., dhe kjo duket jo vetëm në subjektin e romaneve të tyre, por edhe në ndërtimin, nga ana e tyre, të sistemeve kronologjike të pazakonshme dhe ndonjëherë pabesueshmërisht të ndërlikuara. Një shembull ndër mijëra të tillë: romani i D.M.Thomas-it “Hoteli i bardhë”, i cili u diskutua shumë në kohën e tij.
Romani rrëfen historinë e një masakre të tmerrshme të çifutëve në Ukrainë; rrëfimet që i bën protagonistja, këngëtarja Lisa Erdman, analistit të saj vjenez Sigmund Freud, përbëjnë shtyllën e brishtë kurrizore të tij. Nga pikëpamja kohore romani ndahet në tri pjesë, të cilat i korrespondojnë së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes të një krimi kolektiv ngjethës, që përbën thelbin e romanit. Këndvështrimi kohor ndryshon dy herë: nga e kaluara në të tashmen (masakra) dhe në të ardhmen e ngjarjes qendrore të rrëfimit. Por kalimi i dytë, në të ardhmen, nuk është thjesht kohor: ai është njëkohësisht kalim në rrafshin e realitetit. Historia, që deri në këtë moment kishte ekzistuar në një plan historik “realist”, “objektiv”, ndryshon pas masakrës në kapitullin e fundit, “Kampi”, në një realitet fantastik, në një plan thjesht imagjinar, në një territor avullues, shpirtëror, të populluar nga qenie të zhveshura prej ekzistencës fizike, hije apo fantazma të viktimave njerëzore të masakrës.
Kapërcimi kohor është njëkohësisht edhe kalim cilësor, duke e bërë rrëfimin të ndryshojë natyrë. Si rrjedhojë e kapërcimit, historia kalon nga një botë realiste në një botë thjesht fantastike. Diçka e ngjashme ndodh te libri “Ujku i stepave” i Hermann Hesse-s, ku shpirtrat e pavdekshëm të krijuesve të mëdhenj të së kaluarës na shfaqen si personazhe-rrëfimtare.
Pikërisht kapërcimet në rrafshin e realitetit u japin rastin më të mirë shkrimtarëve të organizojnë materialet e tyre narrative në një mënyrë komplekse e origjinale. Me këtë nuk dua të denigroj kalimet në hapësirë e në kohë, ku edhe mundësitë, për arsye të qarta, janë më të kufizuara; dua vetëm të theksoj se, për shkak të ekzistencës së rrafsheve të panumërta të realitetit, mundësia e kalimeve është detyrimisht e pafund dhe se shkrimtarët e të gjitha epokave kanë mësuar të shfrytëzojnë këtë burim të pashtershëm e të shumëllojtë.
* * *
Por, përpara se të guxojmë të futemi më thellë në këtë terren të pasur kalimesh, ndoshta do të ishte me dobi të vinim në dukje një dallim. Kapërcimet përcaktohen nga njëra anë nga këndvështrimet në të cilat ndodhin – hapësinore, kohore apo të rrafshit të realitetit – dhe, nga ana tjetër, nga karakteri i tyre plotësues apo thelbësor. Në vetvete, një ndryshim kohor apo hapësinor është i rëndësishëm, por ai nuk e ndryshon krejtësisht thelbin e një historie, qoftë ajo realiste apo fantastike.
Lloji i kalimit, që ndodh në një roman si “Hoteli i bardhë”, megjithatë nuk e ndryshon natyrën e rrëfimit, duke e kaluar atë nga një botë objektive (“realiste”) në një botë thjesht fantastike. Kalimet që nxisin këtë kataklizëm ontologjik – meqenëse ato ndryshojnë të qenit e një rrëfenje – mund të quhen kapërcime cilësore, term i huazuar nga dialektika hegeliane; sipas Hegelit, akumulimet sasiore i japin shtysë “një kalimi në cilësi” (sikundër ai i ujit, i cili bëhet gaz kur zien aq sa duhet ose kthehet në akull, kur temperatura e tij bie aq sa duhet). Një rrëfim pëson një shndërrim të ngjashëm, kur në të ndodh një kalim rrënjësor në pikëpamje të rrafshit të realitetit, i cili përbën një kalim cilësor.
Le t’u hedhim një sy disa shembujve të mrekullueshëm nga arsenali i pasur i letërsisë bashkëkohore. Në dy romane bashkëkohore të botuara shumë vite larg njëri-tjetrit, për shembull, njëri brazilian dhe tjetri anglez, “Të zitë e ullirit në pyll” i Joao Guimaras Rosa-s dhe “Orlando” i Virgjinia Wolf-it, ndryshimi i beftë i seksit të personazhit kryesor (nga burrë në grua në të dyja rastet) bën që i gjithë rrëfimi të pësojë një kapërcim cilësor, duke e zhvendosur atë nga një rrafsh, që deri në atë pikë dukej “realist”, në një plan imagjinar, madje edhe fantastik.
Në të dyja rastet kalimi është thelbësor, një shndërrim qendror në trupin e rrëfimit, një episod përqendrimi maksimal përvojash, që i jep gjithë shtjellimit një cilësi, të cilën nuk e ka pasur më parë. Një thelb i tillë nuk gjendet te “Metamorfoza” e Kafka-s, ku shndërrimi i të gjorit Gregor Zamza në një kacabu të shëmtuar, ndodh që në fjalinë e parë të rrëfimit, duke e vendosur atë qysh në krye në një botë fantastike.
* * *
Ka shembuj të kalimeve të befasishme dhe të shpejta, akte të papritura, të cilat pikërisht se ndodhin si për mrekulli ose në mënyrë të jashtëzakonshme, shtrembërojnë koordinatat e botës “reale” dhe i japin asaj një përmasë të re, një konfigurim të fshehtë e të mrekullueshëm, që nuk u përshtatet lidhjeve racionale apo fizike, por përkundrazi forcave të errëta, primitive, që mund të kuptohen (dhe në disa raste të kontrollohen) vetëm përmes ndërmjetësimesh hyjnore, shtriganërish ose magjish.
Por te romanet më të famshme të Kafka-s, “Kështjella” dhe “Procesi”, kalimi është një proces i ngadalshëm, i stërholluar dhe djallëzor, rrjedhojë e grumbullimit apo dendësimit gradual të një gjendjeje të caktuar; në fund, bota e rrëfimit çlirohet prej realitetit objektiv, nga “realizmi”, që pretendohej të imitonte dhe del në pah, si një lloj i ndryshëm, një specie e ndryshme e realitetit. I mistershmi z. K., vëzhguesi anonim i “Kështjellës”, nuk rresht së rrekuri të arrijë deri te ndërtesa e madhe, e cila ngrihet mbi gjithë zonën, ku ai ka ardhur të punojë dhe ku është edhe autoriteti më i lartë.
Fillimisht, pengesat që has janë të papërfillshme; gjatë një pjese të mirë të rrëfimit, lexuesi krijon idenë se po zhytet në një botë tejet realiste, një botë e cila duket se pasqyron aspektet më të zakonshme, të përditshme të realitetit. Por, ndërsa historia vazhdon të shtjellohet dhe i pafati z. K. bëhet gjithnjë dhe më i brishtë e i pambrojtur, i lebetitur nga pengesat që, siç do ta shohim, nuk janë të rastësishme apo pasoja të plogështisë administrative, por shfaqje të një mekanizmi të fshehtë djallëzor që kontrollon veprimet njerëzore dhe shkatërron individët, ne lexuesit ndërgjegjësohemi – veç dhimbjes gjithnjë e më të madhe që ndiejmë për pafuqinë ku është zhytur njerëzimi në këtë histori – se rrafshi i realiteti në roman nuk është ai objektiv dhe historik me të cilin tashmë jemi mësuar, por një tjetër realitet, një version simbolik dhe alegorik (ose thjesht fantastik) imagjinar. (Megjithatë, kjo nuk duhet marrë sikur dua të them se romanet “fantastike” janë më pak të aftë të përçojnë mësime ndriçuese për ekzistencën njerëzore dhe vetë realitetin tonë.) Në këtë rast, kapërcimi bëhet nga një gjatësi apo rrafsh realiteti në një tjetër, tepër më ngadalë dhe me më shumë dredha, sesa tek “Orlando” apo “Të zitë e ullirit në pyll”.
E njëjta gjë ndodh te “Procesi”, ku z. K. e gjen veten të zhytur në labirintin makthor të sistemit politik dhe gjyqësor që fillimisht na duket “real”, një interpretim disi paranojak i paaftësisë dhe absurditeteve që shpien në burokratizimin e tejskajshëm të drejtësisë.
Por, kur ndodhitë absurde bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të forta, në një moment të caktuar fillojmë të kuptojmë se, pas lëmshit administrativ që fut në kurth dhe shkatërron dalëngadalë protagonistin, ka diçka më djallëzore dhe çnjerëzore: një sistem ogurzi i një natyre ndoshta metafizike, ku vullneti i lirë dhe aftësia e qytetarit për të kundërvepruar humbet; një sistem që përdor dhe keqpërdor individët si të ishin kukulla në skenë; një rend kundër të cilit është e pamundur të ngresh krye, një sistem i gjithëpranishëm, i padukshëm, që ka hedhur rrënjë të thella në ndërgjegjen njerëzore. Simbolik, metafizik apo fantastik, ky rrafsh realiteti bëhet gradualisht gjithnjë e më i pranishëm si te “Procesi”, ashtu edhe te “Kështjella”, saqë është e pamundur të përcaktohet saktë çasti kur ndodh metamorfoza. Po kështu mund të thuhet edhe për “Mobi-Dik”, apo jo? A nuk i nënshtrohet një kapërcimi cilësor edhe të ndjekurit e pafund nëpër detra të një balene të bardhë që, në sajë të vetë mospranisë së saj, fiton aureolën e një legjende të ligë e shihet si një kafshë mitike, duke e shndërruar atë që fillimisht ishte roman realist, në një rrëfenjë që mund të klasifikohet si imagjinare, simbolike, alegorike, metafizike apo thjesht fantastike?
* * *
Në këtë pikë, me suguri duhet ta kesh kokën të mbushur me kalime e kapërcime të paharruara nga të gjitha romanet e tua të parapëlqyera. E vërteta është se shkrimtarët e të gjitha kohërave e kanë përdorur shpesh këtë mjet, sidomos në krijimet fantastike. T’u kthehemi disa prej kalimeve që i kemi ende të gjalla në kujtesë, kalime që na shërbejnë për të na kujtuar librat që na kanë pëlqyer.
E di! Jam i sigurt që kam rënë në shenjë: Komala! A nuk është emri i këtij fshati meksikan i pari që të vjen ndër mend, kur mendon për kalimet? Dhe lidhja është e shkëlqyer, pasi nuk besoj të ketë njeri që, pasi të ketë lexuar romanin klasik “Pedro Pàramo” (1955) të Juan Rulfo-s, të harrojë tronditjen që ka ndier, kur menjëherë pas leximit të një pjese të mirë të librit, mëson se të gjitha personazhet kanë vdekur dhe se Komala imagjinare nuk është pjesë e “realitetit”, të paktën jo e realitetit ku jeton lexuesi, por e një realiteti letrar ku të vdekurit nuk zhduken e vazhdojnë të jetojnë.
Ky është një nga kalimet më të efektshme (të llojit të kalimeve rrënjësore, cilësore) të letërsisë bashkëkohore latino-amerikane. Mënyra se si arrihet është aq mjeshtërore, sa po të nisesh e të kërkosh se kur ndodh kalimi në hapësirë apo kohë në roman, do të përballesh me një dilemë të vërtetë. Për shkak se nuk është i rrënjosur në ndonjë episod, ngjarje a moment të saktë, por shfaqet pak nga pak, pa rënë në sy; duke e bërë të ditur përparimin e tij me shenja të paqarta e gjurmë të lehta, ai nuk vihet re. Vetëm më pas, po të kthehemi prapa, zinxhiri i të dhënave, grumbullimi i ngjarjeve të dyshimta dhe mospërputhjeve na lejojnë të shohim se Komala është një qytet jo me qenie të gjalla, por me fantazma.
Por mbase do të ishte më mirë të vazhdonim me kapërcimet e tjera letrare, më pak makabre se ato të Rulfo-s. Kalimi më i këndshëm, më i gjallë dhe më zbavitës, që më vjen ndër mend, është ai që zhvillohet në rrëfimin “Letër një zonjusheje në Paris” të Julio Cortasar-it. Kalimi i mahnitshën në rrafshin e realitetit ndodh kur rrëfimtari-personazh, autori i letrës në fjalë, na bën me dije se ka zakonin fatkeq që vjell lepuj. Ky është një kalim cilësor serioz në mes të një tregimi përgjithësisht të lehtë, i cili megjithatë ka të ngjarë të përfundojë me tragjedi; fjalitë e fundit të letrës të japin të kuptosh se protagonisti, i përmbytur nga një rrjedhë e vazhdueshme lepujsh, në fund të tregimit vret veten.
Kjo është një procedurë që Cortasar-i e përdor shpesh në rrëfimet dhe romanet e tij. Ai e përdor kryesisht për turbullimin e ujërave në botët që shpik, duke kaluar nga një realitet tepër i thjeshtë, i rëndomtë, me elemente të paparashikueshme, banale, të zakonshme, në një botë tjetër, fantastike, ku ndodhin gjëra të jashtëzakonshme, si të vjelltit e lepujve, dhe ku shpesh flitet edhe për dhunë. Besoj se duhet të kesh lexuar “Menadët”, një tjetër nga tregimet e mëdha të Cortasar-it, ku bota e rrëfimit pëson një shndërrim psikik. Gjatë një koncerti në teatrin “Korona”, që fillimisht i ngjan një koncerti të zakonshëm, shfaqja e muzikantëve pritet me entuziazëm gati të shfrenuar prej spektatorëve; ky entuziazëm degjeneron në një shpërthim dhune të egër, të pakuptueshme, kafshërore, një linçim kolektiv a luftë deri në vdekje. Në fund të kësaj kasaphane të papritur ndihemi keq dhe pyesim veten nëse e gjithë kjo ka ndodhur vërtet apo ka qenë thjesht një makth i llahtarshëm, një ndodhi absurde në një “botë tjetër”, një botë e sunduar nga një përzierje e pazakontë fantazie, tmerresh të fshehura dhe impulsesh nga më të errëtat e shpirtit njerëzor.
Cortasar-i di më mirë se çdo shkrimtar tjetër si t’i përdorë këto kapërcime, qofshin kalime të ngadalta apo të befasishme, kalime në hapësirë, kohë a rrafsh të realitetit; në gjeografinë e pagabueshme të botës së tij, poezia dhe imagjinata janë të lidhura me ndjesinë e pagabueshme të asaj, që surrealistët e quanin e përditshmja e pabesueshme, ndërsa thjeshtësia në dukje dhe lehtësia bisedore e prozës së tij të rrjedhshme, të pastër, krejtësisht të zhveshur nga çdo lloj manierizmi, fshehin argumente komplekse dhe një guxim të madh krijues.
Tani që po kujtojmë kapërcime letrare që të mbeten në mendje, duhet të të citoj një kalim (dhe është thelbësor), i cili ndodh te “Vdekja me këst” e Céline-s. Për të nuk kam ndonjë simpati personale; racizmi dhe antisemitizmi i tij më ngjallin krupë; megjithatë, ai shkroi dy romane të mëdha (tjetri është “Udhëtim në skaj të natës”).
Te libri “Vdekje me këst” ka një episod të paharruar, ku protagonisti kapërcen La Manshin me një traget të mbushur me pasagjerë. Deti është i trazuar, ndaj lëkundjet e anijes së vogël i bëjnë të gjithë ata që janë në kuvertë, si pasagjerët ashtu edhe ekuipazhin, t’i zërë deti. Dhe natyrisht, në këtë atmosferë të pështirë e kërcënuese, e cila kaq shumë e ka mahnitur Céline-n, të gjithë fillojnë të vjellin. Deri në këtë pikë, jemi në një botë natyrale, ndoshta në një botë pabesueshmërisht vulgare e meskine, por këmbët i kemi të ngulura fort në realitetin objektiv. Megjithatë, të vjellat që nisin të bien mbi lexuesin, duke e spërkatur atë me të gjitha ndyrësirat dhe plehrat që mund të nxjerrin organizmat e Céline-s, përshkruhen me aq imtësi e mjeshtëri, saqë rrëfimi del jashtë realitetit dhe kthehet në një makth apokaliptik, derisa më në fund nuk kemi të bëjmë vetëm me një grup burrash e grash që i ka zënë deti, por me të gjithë njerëzit e botës që po nxjerrin zorrët nga të vjellat. Si rrjedhojë e këtij kalimi, historia ndryshon rrafshet e realitetit dhe kalon në një plan vizionar, simbolik, madje fantastik; gjithçka në rrëfim ndikohet nga shndërrimi i jashtëzakonshëm.
Përktheu Engjëllushe Shqarri
30 Mars 2009