“Fronti...” i Edi Ramës, presion tjetër tryezës së pritshme të Topit
Kryetari i PS-së, në kërkim të argumenteve të reja, për të sponsorizuar bojkotin ndaj Parlamentit, thërret në aleancë sindikata dhe grupe interesi. Kopjon në sens të kundërt federatën e lajmëruar nga Petro Koçi pak javë më parë
Kryetari i PS-së ka rrethuar me presion tryezën e pritshme mes mazhorancës dhe opozitës, duke deklaruar krijimin e një fronti kundër qeverisë, të thirrur “Fronti për Shqipërinë”, ditën e hënë gjatë një takimi që do zhvillohet mes PS-së dhe disa aktorëve politikë apo socialë në vend.
“Përshkallëzimi i protestës ka zgjeruar frontin e aleancës sonë mes partish, ka zgjeruar edhe frontin me përfaqësues të shoqërisë, shoqata apo persona dhe shumë shpejt ky front i ri për Shqipërinë do të jetë publik përtej partive politike përtej çdo kufiri që na ndan në kushte normale po nuk ekziston në kushtet kur duhet të garantojë liri dhe demokraci për të gjithë”, - ka deklaruar kryetari i PS-së, duke iu kthyer pas një harrese të gjatë sloganit të tij të preferuar “përtej partive politike”. Iniciativa e Ramës vjen disa javë pas një deklarate që bëri një prej ish-drejtuesve kryesorë të PS-së, Petro Koçi, i cili lajmëroi krijimin e një federate të majtë, por jo për të inkurajuar bojkotin, por për ta neutralizuar atë. Sipas Ramës, të hënën disa organizata mund t’i bashkëngjiten tryezës së partive të majta, ndërkohë që pritet fjalimi në këtë “front” edhe i disa eksponentëve të djathtë, si Ngjela apo Ndoka. Partia Socialiste ende nuk ka gjetur qetësinë brenda vetes dhe nuk është nën një zë lidhur me bojkotin. Edhe pas gati gjashtë muajsh bojkot, Rama nuk ka arritur t’i mbledhë të gjithë faktorët brenda PS-së e aq më pak brenda së majtës rreth një formule të vetme politike lidhur me qëndrimin ndaj bojkotit. Të paktën pesë deputetë kanë deklaruar se do të jenë në Parlament më 4 mars, pavarësisht fatit të negociatave, ndërsa pritet që numri i tyre të jetë më i madh. Rikthimi i Ramës tek një front që kalon kufijtë e PS-së, ngjan më shumë të jetë një lëvizje politike që kërkon të zëvendësojë mungesat brenda vetë kësaj partie, ndërsa është një sinjal se ai kërkon argumente të reja për negociata, duke konsideruar siç duket të pamjaftueshme ato që ka artikuluar deri tani.