Depresioni, e reja hidhet nga kati i tetë me foshnjën dyvjeçare
Një nënë e re ka gjetur vdekjen së bashku me vajzën e saj 2-vjeçare, duke u hedhur nga tarraca e një pallati 8-katësh në Kavajë. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të ditës së djeshme në lagjen nr. 5 të qytetit. Sipas burimeve zyrtare nga policia, viktimat janë 22-vjeçarja Irma Daullja dhe vajza e saj me inicialet V.D. Të dyja viktimat janë gjetur pa jetë në trotuar. Policia ngriti grupin hetimor, për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje. U shoqëruan në komisariat i shoqi i viktimës. Nga hetimet e kryera rezultoi se shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë depresioni. Viktima vuante prej disa kohësh nga depresioni, megjithatë, ajo nuk kishte tentuar asnjëherë më parë të kryente vetëvrasje. Çifti kishte rreth tre vjet i martuar dhe banonte në katin e katërt të pallatit. Ata kishin një fëmijë. Në mëngjesin e ditës së djeshme, e reja ka marrë vajzën e saj dhe është ngjitur në tarracën e pallatit 8-katësh ku ajo banonte. Në fillim u dyshua për një vrasje, por nga ekspertiza e kryer dhe nga hetimet e mëvonshme rezultoi se e reja kishte kryer vetëvrasje.