E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Durrës: Protesta, nëse dështon tryeza e Topit

Nëse dështojnë negociatat me Presidentin Topi, opozita do të rikthehet në rrugë me protestat anti-qeveri. Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvendosi dje nismën e tij “Shqipëria në krizë, arsyet e protestës” në qytetin bregdetar të Durrësit. Në takim me gazetarët, ai përsëriti kërkesën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe kjo sipas tij, duhet bërë me hapjen e kutive të votimit. Ai tha se hetimi i zgjedhjeve është parakusht për t’i dhënë fund historisë së deformimit të tyre. Në të kundërt, deklaroi Rama, në rast se tryeza e Presidentit Topi nuk do të japë rezultat, opozita po përgatitet për një protestë të madhe. “Hetimi i zgjedhjeve mbetet një kërkesë e palëkundur jona, për të mos përsëritur më zgjedhje si ato të kaluarat, dhe për të garantuar që zgjedhjet e tjera të jenë të lira e të drejta, që vota e shqiptarëve të lexohet hapur. Unë jam i gatshëm për një tryezë me Presidentin e Republikës, por e theksoj se ajo është e pamundur pa hapjen e kutive”, - deklaroi kryetari i PS-së. Ai vuri në dukje se “asnjë vonesë nuk e ndal përgatitjen tonë për protestën e madhe. Ne nuk do të ndalemi për vendosjen e drejtësisë së votës”. Duke folur për arsyet e protestës, lideri socialist, Rama, tha se “ajo është një dhe e vetme, hapja e kutive dhe hetimi i pavarur i zgjedhjeve, ndaj ne kemi kërkuar nga Presidenti Topi, si garanti i Kushtetutës, takimin në tryezë, por jo me kushte të paramenduara”. “Ne nuk kërkojmë përmbysjen e pushtetit, por autopsinë e zgjedhjeve të kaluara. Këtu nuk bëhet fjalë për të humbur një palë dhe të fitojë pala tjetër, ne e kemi pranuar këtë rezultat, por synimi ynë është mospërsëritja e katrahurës si me zgjedhjet e kaluara. Mendoj se Berisha nuk do të zvarrisë takimin tonë. Ajo që ai po bën është një taktikë, e cila mendoj se nuk do t’i funksionojë”, - theksoi z. Rama. Sipas tij, “hapja e kutive dhe hetimi i dosjeve nuk janë arsyet e mia personale, por të një partie e cila i ka dhënë në 95 për qind të shumicës së saj mandatin e kryetarit të saj, për të kërkuar hetimin e zgjedhjeve”. Duke folur për situatën aktuale, ku sipas tij, “mbetet edhe arsyeja e vetme për protestat e socialistëve”, Rama tha se “sot Shqipëria është në krizë, sistemi i drejtësisë, prokuroria e gjykatat janë në krizë. Ne bëmë vërtet një marrëveshje të firmosur edhe nga ne për Kodin Zgjedhor, por një nen i veçantë i saj është edhe hapja e kutive, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2000 në SHBA, Al Gor në shtetin e Florida-s kërkoi hapjen e kutive duke kontestuar fitoren e Bushit, dhe ju them se në qoftë se kutitë do të ishin hapur, president do të ishte Al Gor dhe jo Bush”. Pyetjes se si do të reagonte PS dhe vetë lidershipi i saj në rast se kërkesa për hapjen e kutive nuk do të merrej parasysh, Rama iu përgjigj se “po qe se dështon tryeza e Presidentit Topi, ne do të dalim në rrugë, me protestën e madhe dhe do të luftojmë me çdo çmim për hetimin e zgjedhjeve, e përsëris, për të garantuar zgjedhjet e tjera dhe jo për të përmbysur pushtetin”. Pyetjes së gazetarëve për regjistrimin fetar, Rama iu përgjigj se “po të kishim marrë pushtetin, ajo nuk do të ndodhte, pavarësisht se ne kemi një harmoni të mirë fetare mes komuniteteve”. Rama ka folur edhe për heqjen e vizave, duke deklaruar se “ne nuk ndjehemi fajtorë, vizat do të hiqeshin për shqiptarët po qe se ne do të fitonim zgjedhjet, ndaj insistojmë në hetimin e tyre dhe hapjen e kutive, për të vendosur drejtësi”. Lidhur me interesimin e gazetarëve për hetim të zgjedhjeve pa prishur e ndërhyrë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese e duke iu përmbajtur rekomandimeve të KE-së, Rama iu përgjigj se “protesta jonë nuk lidhet me atë vendim, as me rekomandimet e KE-së, ne kemi forumet tona që vendosin”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›