E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita dergon ne SHBA e BE draftin per komisionin hetimor

Ndërmjetësimi Uashingtoni dhe Brukseli po elaborojnë rrugët për të negociuar për krizën shqiptare

Aksion politik në Parlament, adresim i shqetësimeve në kancelaritë perëndimore dhe një angazhim maksimal në protesta; projekti i opozitës për garancitë elektorale përfshin në vetvete të gjithë degëzimin e mundësive reale prej nga ku Partia Socialiste po shpenzon kreditet e fundit përpara ballafaqimit elektoral. Për të maksimalizuar forcën e argumenteve të veta, por edhe për të rritur audiencën ndërkombëtare, selia rozë ka hedhur hapa të tjerë për çështjen e vet, e cila ende nuk po gjen një zgjidhje pavarësisht se Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë të posaçme. Kështu, drafti i fundit i opozitës, ai që parashikon hetim parlamentar pa fletët e votimit u është vënë në dispozicion selive diplomatike në Tiranë përfshirë edhe atë amerikane. Deklarata e para dy ditëve e ndihmës zv.sekretarit të Shtetit, Thomas Countryman, dëshmon përveç monitorimit që faktori ndërkombëtar po i bën krizës shqiptare edhe për një negocim në vijimësi që PS po mban me të. Kështu, edhe në ditët e kaluara bisedime mes përfaqësuesve opozitarë dhe zyrtarëve amerikanë në Uashington duket të kenë qenë një nga shtysat e deklarimeve të Countryman që përbën një formulim politik të ri për shqetësimet relativisht serioze që kriza shqiptare vijon të përcjellë. Ajo që bëhet e ditur është se apeli amerikan mbetet për zgjidhjen e krizës përmes negociatave dhe dialogut, duke kërkuar arritjen e saj brenda këtij fundviti. Si afat kohor, mesazhet e SHBA-së përkojnë me qëndrimin e mbajtur nga Edi Rama, i cili duke komentuar refuzimin e shumicës për draftin e PS-së për hetimin e zgjedhjeve, ka nënvizuar në parantezë “shpresën” e një reflektimi deri në seancën e fundit parlamentare. Në një farë kuptimi, kjo koherencë dhe ky durim i opozitës, pavarësisht perspektivës jo shumë të qartë të saj, dëshmon për mbajtjen e komunikimit mes saj dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ajo që mbetet e pasigurt është ndërhyrja direkte e faktorit ndërkombëtar, i cili deri më tani është mjaftuar me thirrje publike apo me deklarime të hapura. Konservimi i krizës në kufijtë e një retorike problematike, apo edhe në një ekstrem si marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin, duket se janë të pranueshme për Komunitetin Europian, i cili deri në fund të vitit 2011 nuk duket se do të merret me Shqipërinë. Pesha specifike e opsioneve opozitare qëndron në potencialin e aktualizimit të tyre në kohën zgjedhore, që praktikisht do të thotë dështim i procesit. Më tej, vetë ky moment përcakton një notë negative për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Përndryshe, apeli ndërkombëtar apo edhe negocimi po mjaftohet me respektimin e dinamikës së zhvillimit politik, që mbahet në kufijtë e një klime relativisht të sigurt për një vend anëtar të NATO-s. Opozitës i jep të drejtë në këtë kontekst qëllimi i angazhimeve të veta, edhe pse forma e paraqitjes së tyre po përdoret si mjet akuze nga shumica. Kështu, aleati socialdemokrat i PS-së, Skënder Gjinushi, ka bërë thirrje dje hapur për adoptim të aksioneve të vërteta opozitare, të formuluara dhe të strukturara mirë si platformë veprimi. “Që nga shtatori, PS ka humbur kohë, sepse hetimi i zgjedhjeve ka afat. Nuk duhet lejuar që të bëhen zgjedhje në këto kushte dhe kjo do një zgjidhje politike. Zgjidhje politike do të thotë zgjedhje parti-qeveri, që çon vendin në zgjedhje të lira e të ndershme, që nuk ka konflikt interesi me drejtësinë, nuk ka konflikt interesi me votën e lirë. Në raportin e BE-së Shqipëria del qartë, nuk mund të ecë më përpara pa reforma”, theksoi Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›