Fshatarët nuk paguajnë energjisë, sulmojnë nënstacionet
Peshkopi – Policia u detyrua të marrë në mbrojtje edhe një tjetër nënstacion të kompanisë çeke të shpërndarjes së energjisë, CEZ, pasi banorët e zonës e sulmuan atë.
Bëhet fjalë për komunën Maqellarë në Peshkopi, ku rreth 3000 banorë u tubuan sot pranë nënstacionit elektrik në fshatin Vojnik dhe kërkuan të futen me forcë në nënstacion, në shenjë proteste për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.
Policia ndërhyri duke bllokuar dëmtimin e nënstacionit nga turma e njerëzve të irrituar. Në mbështetje të banorëve ishte edhe komuna ndërsa si organizatorë të tubimit ishin kryesisht njerëz të biznesit në këtë zonë, të cilët janë prekur nga ndërprerja e energjisë. Mësohet se një pjesë e konsumatorëve janë debitorë dhe kanë shumë vite që nuk e paguajnë energjinë. Por kreu i komunës Maqellarë kërkoi bashkëpunim me kompaninë CEZ që të bëhet ndërprerja e energjisë vetëm për debitorët dhe jo për të gjithë banorët, të cilët ndëshkohen për mospagesën e një grupi të vogël. CEZ është vënë në vështirësi të mëdha nga debitet e papaguara, por ndërkohë ndërprerja e energjisë në mënyrë kolektive ka çuar në penalizimin edhe të atyre që e paguajnë, duke prodhuar një problem që shpesh shkakton trazira sociale.
Prej disa javësh, CEZ është hedhur në një aksion për të ndëshkuar të gjithë debitoret e energjisë, të cilët me mospagesat e kanë renduar edhe më tëj gjendjen financiare të kësaj kompanie. Por ndërprerja e energjisë elektrike ka hasur në kundërshtimin e banorëve. Në pjesë, kundërshtojne edhe pse janë debitorë, duke argumentuar se ata janë të varfër dhe nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë faturat e energjisë. Ndërsa disa të tjerë reagojnë pasi bien pre e ndërprerjes së energjisë edhe pse i kanë paguar faturat, një defekt i madh ky i sistemit tonë të shpërndarjes të energjisë elektrike.
Prej disa ditësh në disa fshatra të Kukësit, Shkodrës, Pukës etj, banorët janë hedhur në protesta duke organizuar bllokime rrugësh apo sulme të dhunshme ndaj zyrave të CEZ, pikërisht për të kundërshtuar ndërprerjen e energjisë, edhe pse rezulton në pjesën dërrmuese të jenë debitorë. CEZ është një kompani private dhe normalisht refuzon ta japë produktin e saj pa para, po ashtu si edhe kompanitë e naftës apo të produkteve të tjera të konsumit.
/IDEA/