Humbim në Londër, fitojmë në Dhërmi, Berisha thyen rekordin
Ndërsa sportistët shqiptarë në Lojrat Olimpike të Londrës, nuk kanë arritur ndonjë sukses deri tani dhe janë larg zonës së medaljeve, një lajm i mirë nga garat e notit vjen nga Dhërmiu, ku kryeministri Berisha ka thyer sërish rekordin e notit, duke premtuar përmirësimin e tij gjatë muajit Gusht.
Me seriozitetin që i takon një zyre shtypi qeverie, zyra e shtypit e kryeministrit tonë njoftoi seriozisht se kryeministri i Shqipërisë ka thyer sërish rekordin e notit, duke përcjellë edhe fotografitë ndërsa kryeministri ynë notonte.
Sipas njoftimit të shtypit rekordi i ri personal i kryeministrit është, 141 minuta not, kundrejt 132 minutave të një viti më parë. Formuluesit e njoftimit janë treguar të kujdeshëm të specifikojnë kohën kur kreu u qeverisë nisi notit që ishte ora 9:10 dhe perfundoi ne oren 11:31 minuta. Dhe ashtu si edhe në rekordet e mëparshme, si psh ngjitja e Murit të Madh Kinez, kryeministri Berisha edhe rekordin e ri në det e ka lidhur sërish me politikën. Ai citohet të ketë thënë se “Zeri i detit Jon me tha se ky rekord i ri personal eshte nje ogur i bardhë për fitoren e merituar të zgjedhjeve të 2013- ës”.
Cdo verë, ndërsa shkon për të pushuar në Dhërmi kryeministri prodhon të tilla lajme të cilat çuditërisht përcillen me seriozitetin maksimal nga zyra e shtypit e qeverisë dhe nga mediat proqeveritare.
/IDEA/