Duro, Haxhi e Berisha në Kupën UEFA
Nuk kanë të mbaruara ndeshjet ndërkombëtare të Klodian Duros. Pas dy ballafaqimeve me shqiptaro-maqedonasit e Milano Kumanovës e eliminimit të grekëve të AEK-ut të Athinës në dy tyret e para eliminatore, Omonia Nikosia e Qipros do të përballet me anglezët e Mançester Sitit. E reja e fundit nga Omonia: presidenti i klubit, Mitiadhis Neofitu dha 200 mijë euro për lojtarët pas kualifikimit me AEK-un. Mesfushori Altin Haxhi do të vazhdojë të jetë pjesë e Apoelit në Qipro. Shkak për qëndrimin e shqiptarit ka qenë dëmtimi i rëndë i brazilianit Jan Paulista gjatë një ndeshje me Erithro Asteria. Apoeli do të ketë kundërshtar në raundin e parë të Kupës UEFA gjermanët e Shalke 04. Rozenborgu norvegjez i Besart Berishës do të përballet në turin e tretë të Kupës UEFA kundër Brondbit të Danimarkës.