Fshatrat e komunës së Golemit, 8 vjet pa ujë të pijshëm

Gjysma e fshatrave të komunës së Golemit prej 8 vitesh vazhdojnë të mos kenë ujë të pijshëm. Problemi kyç për jetën e përditshme të banorëve të këtyre fshatrave fillon të bëhet më shqetësues tashmë me ardhjen e pranverës dhe të stinës së thatë të verës. Bëhet fjalë për fshatrat Tilaj, Golem, Mali i Robit, Kryemëdhenj dhe Seferaj, të cilët kanë 8 vjet që nuk kanë një rrjet furnizimi me ujë të pijshëm.
Edhe pse ka më shumë se një vit që është inauguruar ujësjellësi i Manskurisë, fshatrat e mësipërm vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit, ndërkohë që asnjë shpresë nuk duket në horizont për të zgjidhur këtë problem. E njëjta situatë duket se ndodh edhe në dy fshatrat e tjerë të kësaj komune, Qerret dhe Agonas, ku shpesh banorët e këtyre fshatrave përdorin kafshët për të ngarkuar ujë disa kilometra larg banesave të tyre. Burime nga komuna e Golemit kanë bërë të ditur se komuna ka përfunduar projektin që parashikohet të zgjidhë problemin e ujit të pijshëm. Projekti në fjalë që të zbatohet kërkon një fond prej 23 milion lekë, por për këtë problem nuk ka asnjë përgjigje. Të njëjtat burime pranë komunës së Golemit kanë bërë të ditur se asnjë përgjigje nuk është kthyer deri tani nga drejtoria e Ujësjellës Kanalizime në Kavajë për financimin e projektit. Në këto fshatra banojnë rreth 7000 banorë, por në stinën e verës popullsia tek këto fshatra shumëfishohet për shkak të sezonit turistik. Para dy vitesh është bërë një tentativë me hapjen e një pusi në fshatin Agonas dhe Qerret, por shumë shpejt puset u bllokuan për shkak se Ndërmarrja e Ujësjellësit akuzoi banorët se nuk paguanin tarifën e ujit dhe të energjisë elektrike. Arsyeja që fshatrat e komunës së Golemit nuk kanë ujë është mungesa e rrjetit të furnizimit, megjithëse në pjesën më të madhe të vitit ujësjellësi i Manskurisë mund tia dalë për të furnizuar edhe këto fshatra me ujë. Në kushtet e mungesës totale të ujit banorët e fshatrave të mësipërm janë të detyruar që të bëjnë 2-3 km rrugë për të siguruar ujin në burime të ndryshme apo çezma të fshatrave fqinje. Projekti i Ujësjellësit të Mansukrisë, i cili kushtoi disa milion euro, furnizon më ujë vetëm rreth 300 shtëpi në Golemin e vjetër dhe zonën e Plazhit dhe asgjë më shumë se kaq. Nga ky projekt kishte shpresa që të merrte ujë edhe qyteti i Kavajës si dhe disa fshatra të komunës Synej, por ende nuk ka ndonjë iniciativë konkrete për të realizuar këtë premtim të hershëm. E njëjta situatë po ndodh edhe me kanalizimet e ujërave të zeza për zonën e Plazhit. Tenderi ndërkombëtar që mendohej të zhvillohej për këtë investim, nuk është bërë ende nga Ministria e Transporteve, ndërkohë që komuna nuk ka asnjë informacion për ecurinë e këtij projekti. Ajo që shqetëson më shumë drejtuesit e komunës është fakti se edhe këtë vit plazhi i Golemit nuk do të ketë mundësi që të pastrohet nga ujërat e zeza, të cilat derdhen në gropat septike pranë çdo hoteli, apo pallati të banuar në këtë zonë. Vështirësi ka sjellë edhe mosmiratimi ende i Masterplanit të përmirësuar të zonës së Golemit dhe plazhit të saj. Duhet theksuar se ka plot 15 muaj që ky masterplan është miratuar nga KRRT e komunës së Golemit, por diskutimet dhe shqyrtimet e tejzgjatura në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve kanë shtyrë shumë kohën për të miratuar përfundimisht këtë masterplan në KRRTRSH.
Last Updated on Thursday, 16 April 2009 01:35
Last Updated on Thursday, 16 April 2009 01:35