Gjimnazistja plagos kambistin
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Gjimnazistja plagos kambistin gjatë tentativës për ta grabitur. Vajza, vetëm 17 vjeçe e ka tërhequr me anë të mashtrimit 50-vjeçarin, duke e qëlluar me thikë brenda një pallati në bulevardin “Republika” të Korçës. Duke e gënjyer me faktin se prindërit e saj donin të këmbenin 10 mijë euro, adoleshentja ka mundur ta çojë kambistin pranë shtëpisë, por tentativa për t’i grabitur shumën e madhe të parave mbeti në tentativë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, duke përfunduar me arrestimin e nxënëses, ndërsa kambisti mbeti i plagosur në shpatull.
Ngjarja sipas kambistit
Sipas policisë së Korçës, D.K., gjimnaziste në vitin e tretë të shkollës së mesme “Themistokli Gërmenji” është nisur në orën 07:30 për në shkollë. Kur po kalonte tek vendi ku qëndrojnë kambistët, vetëm 50 metra larg oborrit të shkollës, ka ndërruar mendje. Ajo ka ndaluar kambistin Tahir Mëhalla, 50 vjeç, të cilit i ka thënë se prindërit e saj kishin 10 mijë euro, që donin t’i kthenin në lekë. Momentet e ngjarjes janë rrëfyer në polici nga vetë Mëhalla. “Lekët i mbaj në zyrë, ndaj i kërkova të më priste derisa të merrja çantën me shumën e madhe të parave për të thyer valutën e më pas u nisëm drejt shtëpisë së saj. Më tha se jetonte në njërin prej pallateve që shtrihet në bulevardin “Republika”, por më vonë mësova se më mashtroi, nuk më çoi në pallatin e saj”, ka dëshmuar kambisti. “Kur arritëm tek hyrja e një pallati më vuri para dhe më tha të ngjisja shkallët. I shkujdesur vazhdova, pa më shkuar në mendje se do të më sulmonte nga pas. Tek sheshqëndrimi mes shkallëve të pallatit ndjeva që më qëlloi në shpatull. Thirra sa kisha fuqi për ndihmë dhe me krahun e shëndoshë i kapa njërën dorë dhe e shtrëngova fort. Thika me të cilën më kishte qëlluar mbeti e ngulur në shpatullën time dhe në trup ndjeja se më ngrohte gjaku që dilte nga plaga. Kështu na panë banorët e pallatit dhe kështu qëndruam derisa erdhi një polic i qarkullimit rrugor që e arrestoi”. Mësohet se vajza është shoqëruar në mjediset e komisariatit të policisë, që në orën 08:00 e më pas policia ka pritur që kambisti të merrte ndihmën mjekësore në urgjencën e spitalit të Korçës. Plaga e vetme që ka marrë nga thika ka qenë me përmasa të vogla, gjë që ka shkaktuar vetëm plagosje të lehtë për kambistin.
Vajza kërkon psikolog
Pas marrjes në pyetje të kambistit policia ka tentuar të mësojë shpjegimet e para edhe nga gjimnazistja. Ka qenë e detyruar të shpjegonte se ku jetonte familja e saj. Ndryshe nga sa i kishte deklaruar kambistit se jetonte në lagjen 12, ajo jetonte në fakt në lagjen 7 të Korçës. Ajo nuk ka dhënë shpjegime të tjera, duke pretenduar se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Përveç kësaj ka kërkuar që t’i lihej kohë të komunikonte me nja avokat dhe një psikolog, çka është pranuar nga grupi i hetimit. Hetime të tjera rreth kësaj çështjeje kanë filluar që dje. Policia ka mësuar se 17-vjeçarja është një vajzë me probleme në jetën e saj. Nga takimet që janë zhvilluar dje me nxënës të klasës ku mësonte vajza, por edhe mësues e drejtues të shkollës, është mësuar se ajo ka një familje, që aktualisht përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Kjo për faktin se babai i saj është invalid dhe nëna e papunë. Vitin e kaluar Dajana, kanë treguar mësuesit, ishte një nga nxënëset më të mira të klasës, ndërsa këtë vit ka pësuar rënie dhe shpesh ka bërë edhe mungesa të pajustifikuara edhe nga familja. Sipas shoqeve të saj, ajo dëshironte të bënte një jetë më luksoze nga sa i kishte mundësitë ekonomike dhe në kërkim të kësaj jete edhe ka gabuar.