Problemet me zemrën, kryhen 6 operacione të vështira
Një grup mjekësh shqiptarë dhe mjekë italianë përgjatë tri ditëve kanë kryer një seri ndërhyrjesh të vështira kirurgjikale.
Kujdesi gjatë këtyre operacioneve dhe shkalla e përgjegjësisë ishte edhe më e madhe, duke qenë se të operuarit ishin fëmijë të moshave të vogla, të cilët kanë lindur me probleme në zemër, shqetësime që në gjuhën mjekësore njihen si kardiopati.
Plot gjashtë vogëlushë kanë dalë me rezultate pozitive nga salla e operacionit. Ndërkohë që mjekët shqiptarë, kardiokirurgu Arben Baboçi, pediatrja Numnila Kumneshka, Edi Tushe së bashku me shoqatën “Një botë për një zemër” janë ata që bëjnë punën më të madhe për të shëruar zemrat e vogla të fëmijëve shqiptarë.
Foshnjat me probleme janë kryesisht me vrimë në zemër dhe kësaj herë angazhimi më i madh është treguar në drejtim të diagnostikimit dhe dhjetëra ekzaminimeve të vogëlushëve me probleme. Bashkëpunimi me maternitetin, qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, spitaleve të rretheve, si dhe mjekëve italianë kanë shpëtuar jetën e dhjetëra fëmijëve. Një muaj më parë një foshnje 6 muajshe kreu një ndërhyrje tepër të vështirë kirurgjikale, e para e realizuar ndonjëherë në vendin tonë, kjo për nga shkalla e vështirësisë.
OperacionetOperacione të tjera do të kryhen nga grupi shqiptar i mjekëve me ndihmën dhe bashkëpunimin e mjekëve italianë, të cilët vijnë periodikisht në Tiranë. Kjo, falë një marrëveshje të nënshkruar mes palëve, e cila parashikon asistencë të vazhdueshme për të gjithë fëmijët shqiptarë që lindin me probleme në zemër.
Sipas kësaj marrëveshje, të gjitha rastet me probleme ose do të operohen në Tiranë, ose do të dërgohen për trajtim të specializuar në qendrën spitalore në Massa Carrara. E rëndësishme për strukturat spitalore shqiptare është realizimi i saktë i diagnostikimit në shtatzëni, por edhe pas lindjes, në mënyrë që zinxhiri i informacionit dhe trajtimit të fëmijëve të jetë i saktë dhe i suksesshëm.
Në marrëveshjen e nënshkruar mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, parashikohet që në rastet e kardiopative, për të cilat nevojitet një trajtim kardiokirurgjik urgjent, një ekip profesionistësh të Fondacionit Monasterio do të shprehë gatishmërinë e vet, për të ardhur në Tiranë, për të bashkëpunuar me kolegët shqiptarë për zgjidhjen e rasteve.
TelemedicinaTelemjekësia e instaluar një muaj më parë në qendrën spitalore “Koço Glozheni” do të jetë edhe një urë lidhjeje mes mjekëve shqiptarë dhe atyre italianë. Pajisja do të japë përgjigje në kohë për rastet që mjekët shqiptarë do të sugjerojnë për vizitë gjatë shtatzënisë, apo edhe në rastet e të sapolindurve, për të cilët konstatohen defekte në zemër. Sipas të dhënave që kanë sot mjekët kardiologë dhe repartit të statistikave, çdo vit janë mbi 300 lindje të fëmijëve me probleme në zemër, që do të thotë një fëmijë për një mijë lindje.
“Një botë për një zemër” është qendra që do të asistojë komunikimin me spitalin në Massa Carrara. E themeluar si pjesë e projektit “Balkan Hart”, që përfshin gjithë Ballkanin, qendra është themeluar si një bashkim i prindërve që kërkojnë të ndihmojnë në rastet e lindjeve me defekte në zemër.
#