E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshf.org, të hënën si Uefa.com

Kushdo që e ka frekuentuar më parë faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, fshf.org (foto nga e vjetra) dhe do t'i rikthehet asaj të hënën e ardhshme sërish, do të befasohet, jo vetëm nga paraqitja grafike por dhe nga shërbimet e shumëllojta të saj, të krahasueshme me simotrat e saj në Europë e në Botë.
"Do të jetë një faqe e kompletuar", - thotë për "Albania-sport.com", zëdhënësi i FSHF-së, Lysjen Nurishmi. "Do të ketë statistikat të lojtarëve dhe paraqitjet e tyre gjatë ndeshjeve që nga viti 2000, të dhëna zyrtare për klubet e te gjitha niveleve, stadiumet, ndeshjet e kombëtares dhe statistikat e detajuara të lojtarëve që kanë luajtur, arbitrat e dhjetëra detaje të tjera të dobishme për lexuesit, por dhe për gazetarët sportivë", - thekson Nurishmi, i cili shton se për databazën ka punuar një kompani amerikane.
"Lojtarët do të kenë një numër identifikimi dhe ai do të jetë i pandyshueshëm gjatë gjithë karrierës së tyre sportive, duke filluar që nga mosha 11-vjec", - jep të tjera detaje Nurishmi, i cili thekson se për të hedhur lajmet, përshkrimet e të dhënat sipas procesverbaleve të ndeshjeve, ai, Tritan Kokona (shef i marrëdhënieve me median) e Marjus Sulejmani (punonjësi i statistikave në FSHF) kanë punuar me intensitet për më shumë se 3 muaj.
Prezantimi zyrtar i faqes së rikonceptuar do të bëhet ditën e hënë, më 30 qershor (ora 10:00) me një ceremoni zyrtare në Hotel "Tirana International". "Faqja është konceptuar si interaktive, ku do të publikohen sondazhe, forume, foto e videogaleri", - shton Nurishmi. "Ka një ngjashmëri me atë të UEFA-s, por është e tëra e konceptuar me një sfond të kuq".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›