Fshihet kontrata e tragjedisë së Gërdecit
Edhe pse u trumbetua se kontrata do të behej publike menjëherë, ajo nuk u dha. Misteret e fshehjes së sajTIRANË- Tragjedia e Gërdecit po vazhdon që të prodhojë çdo minutë dëme e viktima e pas saj ka mbetur vetëm hija e misterit e mbuluar nga tymi i zi i shpërthimit. Një kontratë e çuditshme e lidhur mes një firme amerikane fantazmë dhe qeverisë shqiptare ka përfunduar në një nënkontraktor që ka punësuar fëmijë, adoleshentë e gra për të çmontuar predha me rrezikshmëri shumë të madhe. Kryeministri Berisha dhe ministri i Mbrojtjes Mediu pohuan dje se në këto kontrata nuk ka asgjë të çuditshme dhe është gjithçka transparente. Madje ata premtuan edhe publikimin e të gjithë dosjes për këdo që ishte i interesuar ta shikonte. "Mendoj se ju, publiku, ka pasur nevojë për një transparencë të plotë dypalëshe dhe kjo transparencë është bërë. Nëse ju doni të bëhen publike kontratat, ato do të bëhen, sepse nuk ka asnjë lloj sekreti në to. Unëdo t'i kërkoj Ministrisë së Mbrojtjes t'ua dorëzojë medieve sa më shpejt",- tha dje kryeministri Berisha nga foltorja e tij. Kjo në orën 12.30 të paradites së djeshme. Zvarritja Menjëherë pas kësaj "Shekulli" kërkoi, duke përdorur çdo mënyrë të mundshme, të bëjë publike për të gjithë kontratën e tragjedisë. Fillimisht zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes u treguan tepër të gatshëm për të dhënë këtë kontratë. Por që nga mesdita, kohë kur gazetarët ndodheshin në dyert e ministrisë, e deri në orët e vona të natës, ata u justifikuan duke thënë se ishin në takime të ndryshme. Më në fund, në orët e vona të natës e pas shumë telefonatave, këta zyrtarë thanë se nuk do të bënin publike kontratën. "Jo sot. Nesër e gjithë dosja do të bëhet publike",- thanë zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes. Në momentin e parë që "Shekulli" do të sigurojë këtë kontratë nuk do të vonojë t'ia bëjë publike të gjithë shtetasve shqiptarë apo të huaj që janë të interesuar të mësojnë përse ndodhi kjo tragjedi kaq e rëndë. KontrataPikërisht kjo kontratë kaq e diskutuar mendohet se do të jetë edhe një nga çelësat e zgjidhjes së mistereve të kësaj tragjedie që ka shkaktuar më shumë se 300 viktima. Banorët e zonës dhe punëtorët kanë shpjeguar se nuk kanë parë asnjë herë një firmë amerikane që të punojë në çmontimin e predhave të vjetra të ushtrisë shqiptare. Ata kanë parë vetëm një herë në fillim disa persona që flisnin anglisht, të cilët duhet t'i bënin një trajnim. Por ky trajnim ka konsistuar vetëm në një këshillë: Mos pini cigare pranë barutit. Pas kësaj gjithçka e marrin në dorë drejtuesit shqiptarë. Madje në fabrikë nuk ka qëndruar për as edhe një moment ushtria shqiptare. Vetë ministri Mediu shpjegoi se ushtria vetëm sa ka bërë transportimin e predhave. Më pas kanë qenë fshatarët e zonës që i kanë çmontuar duke ndarë në një anë barutin e tritolin dhe në anën tjetër pjesët që përdoren për skrap. Kjo ngre edhe një pyetje tepër serioze: A mund të jetë abuzuar me barutin dhe tritolin e nxjerrë? Këto janë dy mallra tepër të vlefshëm që mund të shiten në tregun ilegal të armëve por i takon prokurorisë që të zbardhë të vërtetën. Berisha: Kemi kontratë me firmën amerikaneKryeministri Berisha ka pranuar që të komentojë gjatë kontratën e shumëpërfolur që solli më pas edhe nisjen e çmontimit të municioneve të vjetra por edhe tepër të rrezikshme të ushtrisë shqiptare. "Ka qenë një kontratë e rregullt me kompaninë amerikane. Lidhur me firmën shqiptare nën kontraktuese, do të hetohet. Por a është firmë nënkontraktuese, apo janë punëtorë, të cilët i ka trajnuar kompania e huaj, kjo do të sqarohet. Në çdo rast, qoftë kontraktorë, qoftë të punësuar, trajnimi i tyre ka qenë një detyrim i kompanisë së profilizuar në çmontimin e armatimeve. Sipas deklarimeve, trajnimi i punëtorëve është bërë, por, nëse është bëri trajnimi i të gjithë punëtorëve, kjo mbetetçështje hetimi dhe do të hetohet. Nëse aty ka pasur punëtorë në të zezë (duke iu referuar adoleshentëve që punonin për çmontimin e predhave", kjo ka mundësi.", pohoi Berisha. Ai ia ka hedhur të gjithë fajin për trajnimin e punëtorëve me shprehjen "Mos pini duhan përpara barutit" duke mënjanuar Ministrinë e Mbrojtjes nga çdo përgjegjësi për marrjen në punë të një personeli tejet të pakualifikuar për tu marrë me një rrezik kaq të madh, siç është çmontimi i predhave luftarake. Në të njëjtën linjë ka qenë një ditë më parë edhe drejtori i kompanisë shqiptare, i cili ka thënë se banorët ishin në dijeni të rrezikut që hasnin duke bërë këtë punë.Emigrimi në Greqi e arrestimi për evazion fiskal me 1.2 mil USD. Presidenti i "Përparimi Sh.a" por edhe i "Alb Demil"Delijorgji: Emigranti që u bë biznesmen skrapiI ardhur nga Dropulli i Gjirokastrës, në fillimet e veta emigron në Greqi për një vit e gjysmë. Më pas ndërton fabrikën e tij moderne në Shkozet të Durrësit, për prodhim të zgarave, rrjetave metalike, llamarinave etj. Pak kohë më pas Mihal Delijorgji njihet si një nga biznesmenët më të mëdhenj të hekurit në Shqipëri. Por emri i tij u bë i njohur edhe më shumë më 25 prill të vitit 2004 kur u arrestua nga prokuroria shqiptare për akuzën e evazionit fiskal. Arrestimi i Mihal Delijorgjit është kryer rreth orës 15.45 të asaj dite në një lokal në mjediset e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa". Delijorgji ndodhej aty në pritje të fillimit të ndeshjes ndërmjet ekipeve të Dinamos dhe Partizanit. Ai është edhe presidenti i Sport Klub Dinamos dhe në momentin e arrestimit po bëhej gati për tu ngjitur në tribunën "VIP" të stadiumit. Në atë kohë firma e tij, "Përparimi Sh.A" me qendër në qytetin e Durrësit tregtonte hekur të importuar në të gjithë Shqipërinë. Aktiviteti i saj është kryer nga vitit 1997 e në vazhdim. Në vitin 1999 Prokuroria e rrethit Durrës ka zbuluar se kjo firmë gjatë aktivitetit të saj kishte kryer disa shkelje që përbënin vepra penale. Presidenti i firmës "Përparimi Sh.A" u akuzua se për vite me radhë i është shmangur detyrimeve doganore për importin e hekurit si dhe nuk ka paguar taksat që shteti ka vendosur për bizneset e mëdha. Dëmi i shkaktuar prej tij buxhetit të shtetit ishte rreth 1.2 milionë dollarë amerikanë. Ai u lirua sërish me vendim të prokurorisë pasi pranoi që të paguante në doganë të gjithë shumën e borxhit për të cilën akuzohej, 1.2 milionë dollarë amerikanë. Por babai i dy fëmijëve, vajzë e djalë, Mihal Delijorgji, vetëm dy muaj përpara arrestimit fitoi tenderin në Ministrinë e Mbrojtjes për shkrirjen e të gjitha autoblindave, tankeve e mjeteve të tjera të ushtrisë shqiptare në fabrikën e tij për skrap. Edhe pse nën hetim nga prokuroria, ai nuk e pati të vështirë që të fitonte tenderin. Prokuroria e asaj kohe pati një reagim të shkurtër edhe kur Mihal Delijorgji u bë president dhe sponsori kryesor i Klubit të Futbollit "Dinamo", një strukturë e Ministrisë së Rendit Publik në tetor të 2002. Kjo solli edhe një përpjekje për të larguar Delijorgjin nga drejtimi i klubit, por ajo doli e pasuksesshme pasi ministri i asaj kohe e mbështeste fuqimisht.