Qeveria amerikane lajmëroi rrezikun
Helikopterët me rreze infra të kuqe zbuluan eksplozivin pranë autostradës. Ushtria e zhvendosi për pak ditë dhe e riktheu sërish
TIRANË- Një tragjedi e paralajmëruar jo vetëm nga banorët, por edhe nga marinsat amerikane. Ish-reparti ushtarak në Gërdec, i kthyer në një fabrikë demontimi ka shqetësuar 9 muaj më parë punonjësit e ushtrisë amerikane, që i paraprinë vizitës së presidentit Xhorxh Bush, qershorin e vitit të kaluar në Shqipëri. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se helikopterët e ardhur në Shqipëri, gjatë patrullimit mbi zonën ku ishte planifikuar të kalonte eskorta presidenciale zbuluan me ndihmën e rrezeve infra të kuqe sasinë e konsiderueshme të eksplozivit, të magazinuar në repartit të Gërdecit, vetëm pak kilometra larg autostradës dhe aeroportit "Nënë Tereza". " Marinsat amerikanë kërkuan heqjen e menjëhershme të eksplozivit dhe municioneve nga Gërdeci, pasi rrezikonte të bëhej shkak për dëmtime të mëdha që mund të vinin në rast shpërthimi, duke synuar kështu të siguronin vizitën e presidentit Bush",-pohuan dje burime nga grupi hetimor. Mesa duket, ky ka qenë edhe paralajmërimi i parë i marinsave amerikanë, të cilët i sugjeruan atë kohë ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes që të tërheqin municionet nga ky repart dhe të mos i grumbullojnë më aty, pasi rreziku për banorët është shumë i lartë në rast shpërthimi.
***
Siç ndodh rëndom në këtë vend, alarmi për rrezikun e një shpërthimi zgjati për aq orë sa presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës qëndroi në Shqipëri. Të njëjtat burime bëjnë me dije se pas kërkesës së marinsave amerikane, Ministria e Mbrojtjes mobilizoi ushtarët e xhenios që të largonin brenda orëve të natës, të gjithë sasinë e municioneve që ndodhej aty. Gjithçka nga ky operacion u mbajt sekret ato ditë, për të ruajtur nivelin e sigurisë para vizitës së Presidentit Bush, por fill pas largimit të tij, kamionët e ushtrisë që transportonin municion janë parë të lëvizin sërish në zonë. Sipas dëshmive të punëtorëve, puna për çmontimin e municioneve ka filluar pikërisht në këtë kohë, rreth 9 muaj më parë, e mesa duket, paralajmërimet e amerikanëve për jetë banorësh në rrezik, nuk kanë shqetësuar askënd në Ministrinë e Mbrojtjes.
***
Të njëjtat burime bëjnë me dije për "Shekullin" se vetëm pak ditë nga mbarimi i vizitës së presidentit Bush në Shqipëri, këto municione u rikthyen në Gërdec, tashmë jo vetëm për magazinim, por edhe për çmontim, duke sjellë rrezikun e paralajmëruar që solli tragjedinë e vdekjes së 9 vetëve, zhdukjes së shumë të tjerëve dhe plagosjes së më shumë se 200 banorëve të zonës. Në atë kohë, helikopterët e SHBA-së evidentuan një nga tunelet e mbushura me eksploziv, predha, granata dhe fishekë, të cilët u larguan pa shumë bujë për t'u rikthyer aty vetëm pak ditë nga vizita. Paralajmërimit të marinsave amerikanë i shtohen edhe dëshmitë e banorëve të zonës, për denoncime të rrezikut, apo edhe të pushtetit lokal, shqetësime këto që kanë rënë në vesh të shurdhër deri dy ditë më parë, kur shpërthimi i depove shkaktoi një katastrofë të vërtetë njerëzore.
Asnjë masë sigurie, pas incidentit me shpërthimin e municioneve në fabrikë
Prokuroria: Tre muaj më parë, një tjetër shpërthim
TIRANË- Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se banorët e fshatit Gërdec, të cilët janë marrë në pyetje, kanë treguar edhe një rast tjetër shpërthimi, këtu e tre muaj më parë, ku pas një zjarri të ndezur brenda repartit për ngrohje, ka marrë flakë një arkë e mbushur me plumba automatiku të kalibrit 12.7 mlm. "Marrja në pyetje e banorëve të zonës dhe punëtorëve të kësaj fabrike kanë zbuluar edhe një rasttjetër shpërthimi, tre muaj më parë. Shpërthimi i një arke me fishekë, incident i cili nuk u denoncua dhe nuk u mor vesh nga askush, përveç personave që ndodheshin brenda dyerve të repartit nuk ka sjellë masa më të larta sigurie në fabrikën e demontimit",-bëjnë me dije burime nga prokuroria. Po sipas këtyre burimeve, ka rezultuar se në këtë repart çmontoheshin përveç predhave 60 mlm deri në 155 mlm, edhe fishekë të kalibrave të ndryshme, ku me ndihmën e punëtorëve të pakualifikuar nxirrej prej predhave baruti, i cili hidhej në një kontenier, ndahej veçmas siguresa dhe bronxi, bakri dhe çeliku të cilët transportoheshin për skrap, po nga firma "Alb-Demil". Megjithë përpjekjet e qeverisë për t'i cilësuar punëtorët e kësaj fabrike të specializuar, vetë punonjësit kanë rrëfyer për "Shekullin" se nuk janë trajnuar asnjëherë për punën dhe nuk ishin vënë në dijeni për rrezikun që u kanosej nga puna e vetme që mund të siguroje në atë zonë periferike të Tiranës, në fabrikën e çmontimit të municioneve.