Arrestohet, mashtronte emigrantët për dokumentet greke
Gjirokastër Policia e Gjirokastrës ka ndaluar një 51-vjeçar, i cili dyshohet se duke mashtruar emigrantët se do t’i pajiste me dokumente greke, fitonte shuma të konsiderueshme eurosh. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Sektorit kundër Krimit Financiar, në zbatim të urdhër-ndalimit të lëshuar nga ana e prokurorit, kanë ndaluar Spiro Shukulin, nga Gjirokastra, për veprën penale të “mashtrimit”. Më datë 30 qershor 2011, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka nxjerrë urdhër-ndalimin për 51-vjeçarin Shukuli, pasi në dy raste, nëpërmjet mashtrimit ka përfituar në total një shumë prej 2 300 eurosh. Sipas grupit hetimor, në vitin 2006, në Greqi, ai ka mashtruar një emigrant nga Lunxhëria e Gjirokastrës, me inicialet I.B. Pasi i ka marrë një shumë prej 500 eurosh, ai i ka premtuar emigrantit se do t’i nxirrte një vizë greke, me të cilën nuk e pajisi asnjëherë, ndërkohë që i mbajti dhe sasinë e eurove. Gjithashtu në vitin 2009, po në Greqi, ai mashtroi emigrantin me inicialet V.M, nga Lunxhëria, Gjirokastër, duke i marrë 1 800 euro për t’i nxjerrë dy leje drejtimi greke. Por 51-vjeçari Shukuli nuk ia ka nxjerrë lejet e drejtimit dhe as nuk i ka kthyer shumën e eurove që i ka marrë emigrantit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme hetimore. B.SH.