E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa e NATO, koncert nga busti i Enverit

• Duket se nuk ka qenë rastësi, por e menduar mirë nga organizatorët.

ADI SHKEMBI

Pas marrjes së ftesës për në NATO, pikërisht në pallatin e diktatorit të Rumanisë, Nikolae Çaushesku, edhe festimet në Tiranë janë bërë pikërisht në vendin ku, deri 17 vjet më parë ngrihej përmendorja e ish-diktatorit Hoxha. Madje jo vetëm kaq, por fjalimi i Kryeministrit Berisha para qytetarëve të mbledhur në shesh, u bë pikërisht nga vendi ku deri në 1991 ishte i vendosur busti i udhëheqësit komunist. Dhjetëra-qindra qytetarë ishin mbrëmë në shesh për të marrë pjesë në festimet e marrjes së ftesës, ku prej Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës ishte paralajmëruar një koncert me këngëtarët më të njohur. Në shesh veç flamurëve shqiptarë dhe atyre të NATO-s, të binin në sy edhe flamurët kosovarë. Nga ana tjetër në këtë ceremoni ishin të ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit si dhe liderët e opozitës, përfshi këtu edhe kreun e PS-së, Edi Rama. Por debatet e fundit duket se kanë ndarë edhe këtë radhë maxhorancën nga opozita, dhe vetëm shumica ka qenë në shesh për të festuar. Pak pas fillimit të koncertit nga krahu i Muzeut Kombëtar është parë të vijë kryetarja e Kuvendit Topalli, dhe rreth 10 minuta më pas, ka ardhur Kryeministri Berisha. Të rreshtuar në vijë të drejtë përballë skenës, deputetë dhe ministra të PD-së, por edhe aleatë, janë përshëndetur një nga një nga Kryeministri, i cili është vendosur në mes të skenës dhe në krah ka pasur dy nënkryetarët e PD-së, Topallin dhe Patozin. Aleati muzikor më besnik i PD-së grupi nga Maqedonia “Elita 5”, duket se ka qenë më i përkushtuari për këtë koncert teksa ka kënduar 5 këngë live dhe herë pas here ka përshëndetur Shqipërinë për marrjen e ftesës në NATO. Por ky koncert duket se ka shërbyer edhe për t’u njohur me shijet muzikore të deputetëve dhe ministrave të PD-së. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe bashkëshortja e ministrit Basha duket se ishin fanse pikërisht të grupit “Elita 5”, teksa shoqëronin me zë çdo këngë të tyre. Ndërkohë ministri Basha dhe zëdhënësi i PD-së, Gert Bogdani duket se ishin të apasionuar pas këngëve të Greta Koçit, teksa ishin ndër të parët që e duartrokitën atë pas hyrjes në skenë. Rreth orës 19:45 minuta ka qenë pikërisht grupi i shqiptarëve të Maqedonisë, ai që ka ftuar Kryeministrin Berisha në skenë, ashtu siç ka bërë disa herë në mitingjet elektorale të PD-së. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha ka uruar nga ky shesh ditën e madhe të historisë sonë kombëtare, siç e quajti, 3 prillin. “3 prilli shënon erën e NATO-s, erën e prosperitetit të sigurt të shqiptarëve. Shqipëria bëhet më e sigurt se kurrë në tërë historinë e saj. Besimi i madh që u vendon në Bukuresht mbi ne do të shpërndahet në të gjithë botën dhe Shqipëria do të shndërrohet në vendin e investimeve dhe projekteve të mëdha, në vendin e mundësive për të shfrytëzuar pasuritë e jashtëzakonshme të saj nga qytetarët shqiptarë”, theksoi Berisha. Pas fjalës së shkurtër të kryeministrit qindra fishekzjarrë zbardhën sheshin “Skënderbej”, ndërkohë që pas largimit të Berishës u larguan njëri pas tjetrit edhe gjithë të ftuarit politikanë, për t’ia lënë sheshin qytetarëve.

Berisha: Reformat pa votën e PS-së janë formale
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, që të gjitha reformat pas marrjes së ftesës të miratohen me konsensusin e Partisë Socialiste. Duke folur para deputetëve demokratë pas largimit të mediave, kreu i qeverisë është shprehur se në miratimin e reformave, ku dy më kryesoret për momentin janë ajo zgjedhore dhe ajo në sistemin e drejtësisë, nuk duhen parë votat, por marrja e OK nga ana e socialistëve. “Reformat duhen miratuar me konsensus dhe në marrëveshje me Partinë Socialiste. Nuk ka kuptim që ne të miratojmë reforma pa PS-në. Ne duhet të punojmë me aleatët tanë për t’i bindur që t’i votojnë ato, por çdo reformë pa konsensusin e PS-së, është formale”, mësohet të ketë deklaruar Berisha. Në të njëjtën kohë Berisha vlerësoi rolin qendror të parlamentit në miratimin e ligjeve, teksa shtoi se viti 2007 faktoi se, reformat u thelluan dhe se vullneti politik i maxhorancës, ishte për t’i vazhduar dhe konsoliduar më tej këto reforma, si një proces i parikthyeshëm. “Gjatë këtij viti u dëshmua serioziteti më i madh në fushën e reformave. Një nga ministrat e jashtëm të BE, u shpreh se progresi i reformave e shndërroi Shqipërinë në një shembull frymëzues për vendet e rajonit. Në këtë aspekt parlamenti me veprimtarinë e tij, ka pasur një rol qendror në miratimin e ligjeve, vendimeve, strategjive dhe përmirësimin e tyre”, theksoi Berisha në fjalën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›