Edhe 9 mijë të tjerë në armatën e papunësisë
Raporti i Bankes se Shqiperise luan me termat por thelbi mbetet i njejte. Gjate vitit qe shkoi, 9 mije shqiptare te tjere dolen ne rruge
Papunësia vazhdon të jetë problematike për vendin tonë, e cila vazhdon të shënojë rritje. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë shpjegon mjaft qartë që, për vitin e kaluar, numri i të papunëve është zvogëluar si rezultat i uljes së numrit të personave të aftë për punë. Por e thënë më thjesht, 6 mijë persona për shkak të marrëdhënieve informale të punës apo dhe mospërputhjes së ofertës, kanë ngelur sërish të papunë. Duke shtuar këtu dhe 3 mijë të papunët e administratës, rezulton që gjatë vitit 2009 papunësia të jetë rritur me 9 mijë vetë. Pra, e gjitha kjo tregon mjaft qartë se këta persona janë regjistruar si të punësuar, për shkak të refuzimit të punës që atyre iu është dhënë. “Rënia e numrit të të papunëve me ritme më të shpejta se rritja e numrit të të punësuarve, u pasqyrua në një rënie të numrit të vlerësuar të forcave të afta për punë. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2007, forca e aftë për punë u zvogëlua me 6 mijë individë në bazë vjetore”, thotë Banka e Shqipërisë. Sipas saj, shfaqja e kësaj dukurie në nivele më të larta mund të jetë rezultat i natyrës informale të marrëdhënieve të punës, i emigracionit dhe i mospërputhjes midis ofertës dhe kërkesës për punë. Zbatimi i programeve të praktikave profesionale për punëkërkuesit dhe konsolidimi i qendrave të formimit profesional në rrethet jashtë Tiranës, të zbatuar gjatë vitit 2007, pritet të rrisin ofertën e punës për periudhat e ardhshme. Po ashtu, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror ra me rreth 3 mijë vetë gjatë vitit 2007, krahasuar me një vit më parë. Po ashtu, në sektorët privatë problematikë që ka shënuar ulje të numrit të punësuarve është edhe sektori i ndërtimit. Në sektorin e ndërtimit, numri i të punësuarve gjatë tremujorit të tretë ka vazhduar të bjerë paralelisht me ngadalësimin e prodhimit dhe të shitjeve në bazë vjetore. Sektori i transportit vijon të regjistrojë një vëllim më të lartë shitjesh, me një numër më të vogël punonjësish.