E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesë joserioze

Ftesa publike, që u është bërë partive opozitare nga Qeveria e Kosovës për t’u angazhuar në grupet punuese për implementimin e Strategjisë së Veriut, është vlerësuar joserioze nga përfaqësues opozitarë.

Sipas tyre, qeveria as që ua ka prezantuar të detajuar këtë strategji, ndërsa nervozë i ka bërë edhe mënyra e komunikimit e zyrtarëve shtetërorë.

Qeveria e Kosovës të hënën kishte vendosur të themelojë gjashtë grupe punuese, të cilat do të koordinojnë punët ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të vazhduar me integrimin e pakicave dhe vënien e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, ka deklaruar të martën për Express se për strategjinë ka marrë vesh vetëm nga mediet, ndërsa ftesa nga Kryeministri Thaçi për partitë opozitare, që të marrin pjesë në grupet punuese, është bërë vetëm për efekt medial.

“Nuk komunikohet me partitë opozitare me mjetet e informimit e ftova s’e ftova... Dihen format e komunikimit ndërmjet institucioneve, qofshin ato shtetërore, qofshin politike. Ne nuk jemi me qindra kilometra larg njëri-tjetrit për komunikim të kësaj forme”, ka thënë Makolli.

“Për më tepër këtë formë të qeverisë me opozitën e shoh diçka më tepër që bëhet për efekte mediale sesa një ftesë serioze opozitës për të qenë pjesë përbërëse e drejtpërdrejtë në implementimin e strategjisë”.

AKR, sipas Makollit, është e gatshme të mbështetë çdo iniciativë që ka për qëllim vendosjen e rendit në vend.

“Por, nuk mund të marrim pjesë në grupe të tilla sa për sy e faqe, sa për të plotësuar një vend në këto grupe. Ajo që ne kërkojmë së pari është ofrimi i strategjisë dhe pastaj kontakte të drejtpërdrejta me qeverinë përkitazi me pjesëmarrjen e mundshme në këto grupe punuese”, ka thënë ai.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se partia e tij nuk ka marrë ftesë për të qenë pjesë e grupeve punuese.

“Ne nuk marrim pjesë në grupe punuese që janë vetëm sa me ble kohë, por vetëm me kushtin që ato të kenë fuqinë e vendimmarrjes. Aleanca është e interesuar me punu në zbatim të strategjisë, por jo që të manipulohet opinioni”, ka thënë Ramadani të martën për Express.

Ai madje e ka quajtur manipuluese ftesën dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për të formuar grupe punuese për implementimin e strategjisë.

“Ne jemi të interesuar me zhvillu vendin dhe me integru pjesën veriore brenda sistemit politik. Ne do të jemi pjesë e të gjitha proceseve që janë pozitive për vendin e që janë të vërteta e jo që janë manipuluese”, ka thënë Ramadani.

Lidhur me ftesën e Qeverisë së Kosovës ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, e cila po ashtu shtoi se qasja e ekzekutivit të vendit për veriun është joserioze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›