E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Korrupsioni fillon nga Thaçi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha sot në një konferencë me gazetarë, se korrupsioni në institucionet e Kosovës fillon nga kryeministri Hashim Thaçi.

Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, për prezencën e korrupsionit në institucionet e vendit, Haradinaj u shpreh se shkaktar i korrupsionit është mënyra e qeverisjes.

Lideri më i zhurmshëm opozitar adresoi edhe sot kritika ndaj Qeverisë, e cila sipas tij, nuk është duke e luftuar korrupsionin, dhe në këtë mënyrë po ia prish imazhin e vendit para bashkësisë ndërkombëtare.

“Për bindjen time, korrupsioni fillon nga kryeministri Thaçi. Ai është shkaktar i korrupsionit; logjika e tij qeverisëse, mënyra se si qeveris dhe pastaj pasojat vazhdojnë në nivelet e tjetra”, ka thënë Haradinaj, transmeton KosovaPress.

Pa involvimin e kryeministrit në korrupsion, sipas tij, do të ishte e pamundur që anëtarët e kabinetit të korruptohen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›