Fuad Ramiqit nuk i pëlqejnë pyetjet e gazetarve

Lëvizja “Bashkohu” ka protestuar kundër përjashtimit të Njomza Jasharit nga shkolla e mesme ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj. Para ndërtesës së Komunës ishin mbledhur qindra qytetarë, të cilët kanë kërkuar kthimin e menjëhershëm të kësaj nxënëse në shkollë. Ata kanë thënë se “ndalimi i përdorimit të shamisë në shkolla është diskriminim ndaj motrave myslimane”, transmeton KTV.
Fatos Rexhepi nga kjo lëvizje pretendon se shamia është traditë shqiptare, e jo arabe.
Derisa në oborrin e Komunës po mbahej protesta, udhëheqësi i lëvizjes “Bashkohu”, Fuad Ramiqi dhe babai i nxënëses së mbuluar janë takuar me zyrtarë të Komunës së Ferizajt. Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Agim Berisha ka thënë se vetëm po e zbaton ligjin.
Fuad Ramiqi ka dalë para gazetarëve, por nuk i ka pëlqyer asnjë pyetje e drejtuar nga ta. Ramiqi është munduar që pyetjet e gazetarit të “Kohës Ditore” t’i cilësonte si kërcënim./Indeksonline/