E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfitojnë nga të vdekurit

Musa Kolla nga Vushtrria kishte marrë pesë pensione të bashkëshortes së tij Gjylyzar Kollës, edhe pse ajo kishte vdekur. Por ky avaz i marrjes së pensionit të keqpërdorur nuk i kishte shkuar shumë gjatë. Administrata Pensionale e Kosovës e kishte hetuar një gjë të tillë dhe Kollën e kishte paditur në gjykatë. Gjykata Themelore në Vushtrri ka vendosur që i padituri Musa Kolla t’i kthejë Administratës Pensionale shumën në vlerë prej 200 euro.

I padituri ka pranuar se ka tërhequr pensionet në emër të së ndjerës, por ka deklaruar në gjykatë se këto të holla nuk mund t’i kthejë pasi vetë merr pension 80 euro dhe askush në familje nuk punon. Gjykata nuk ka marrë parasysh këtë ankesë të Kollës dhe ka vendosur që ai ta kthejë shumën Administratës së Pensioneve, konkretisht Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Raste si kjo të keqpërdorimeve të pensioneve, pasi vdesin përfituesit ka mjaft në Kosovë, por gazeta Express ka arritur t’i sigurojë të paktën edhe dy raste të tjera po ashtu nga Vushtrria në të cilat personat kanë tërhequr pagat në emër të personave të vdekur. Musli Mustafa nga fshati Strofc i Vushtrrisë kishte tërhequr dy paga në emër të Adile Mustafës. Njëjtë kishte vepruar edhe Kumrije Ujkani, e cila kishte tërhequr dy paga në emër të Asllan Ujkanit që kishte vdekur. Gjykata Themelore në Vushtrri më 13 janar vendosi që dy të paditurit t’ia kthejnë shumën prej 80 eurosh Administratës Pensionale.

Edhe në Ministrinë e Punës pranojnë se kanë gjetur se ka pasur keqpërdorime të këtyre natyrave. Behxhet Gaxhiqi zëdhënës i Ministrisë së Punës tha për Express se këto raste janë një prej sfidave kryesore të Departamentit të Administratës. “Po, kemi raste kur familjarët e pensionistëve kanë bërë tërheqjen e pensionit edhe pas vdekjes së përfituesit”, thotë Gaxhiqi.

Por ai shprehet optimist se kjo dukuri po shkon duke u zvogëluar nëpër vite. Për ta dëshmuar këtë Gaxhiqi jep edhe shifra të rasteve prej vitit 2009 e deri më tani.

Sipas statistikave në vitin 2009 janë iniciuar 275 procedura gjyqësore për kthim të mjeteve, ndërsa në vitin 2010 ky numër ka qenë më i larti,371. viti 2011 sipas Departamentit të Administratës janë evidentuar 192 raste, ndërkaq në vitin 2012 vetëm 33. Administrata raporton se në këtë fillimvit është evidentuar një rast. Por jo vetëm për pensione ka keqpërdorime.

Edhe në Skemën për Ndihma Sociale Gaxhiqi pohon se ka pasur keqpërdorime, ku ndihma kanë marrë edhe njerëzit e punësuar që është kriteri kryesor për ndihmat sociale.

“Gjatë krahasimit të të dhënave në mes Ministrisë dhe Administratës Tatimore të Kosovës në muajin dhjetor të vitit që shkoi nga 31 mijë e 111 familje në ka rezultuar së 175 anëtarë të këtyre familjeve janë gjetur si tatimpagues në të hyra financiare”, ka thënë Gaxhiqi.

Për të gjitha këto familje, sipas tij ministria ua ka rekomanduar Qendrave për Punë Sociale që t’u ndërpritet ndihma sociale dhe njëkohësisht të iniciohet procedura për kthimin e mjeteve ashtu siç parashihet me ligj.

“Në rast se familjet e sipërshënuara nuk pranojnë t’i kthejnë mjetet në afatin e paraparë ligjor, atëherë iniciohet procedurë gjyqësore”, tha Gaxhiqi. Numri i përgjithshëm i pensionistëve në janar të vitit 2013 sipas skemave pensionale është: 116 mijë e 965 persona marrin pension bazë; 35 mijë e 610 marrin pension kontributpagues, 18 mijë e 378 persona me aftësia të kufizuara; 3 mijë e 702 janë pensionistë të parakohshëm të ndërmarrjes “Trepça”; 735 pensionistë të TMK-së dhe 70 pensionistë të FSK-së. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›