E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohet përplasja për kufijtë detarë me Greqinë

Përplasja e qeverisë Berisha me SHBA për paktin detar me Greqinë, është konfirmuar edhe nga një kabllogram që ambasada amerikane i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit.

Kabllogrami me kod 08TIRANA745, i tetorit 2008 (i publikuar nga WikiLeaks) është klasifikuar si konfidencial, mban titullin: “Greqia i bën presion Shqipërisë mbi çështjet e kufirit dhe varrezave”.

Në kabllogram sqarohet se si Athina i ka bërë presion Berishës që të shmangeshin amerikanët nga negociatat. “Gjatë një seance bisedimesh së fundmi në Tiranë, zyrtari grek në krye të delegacionit i dha palës shqiptare një ultimatum. Qeveria greke mund të tregohet e gatshme për një kompromis mbi kufirin detar pranë Korfuzit (ndoshta për shkak të interesit ushtarak ekzistues amerikan për ndërtimin e një baze ushtarake të SHBA-së në Jal, Shqipëria e Jugut). Gjithsesi, zyrtari grek paralajmëroi delegacionin shqiptar për të plotësuar kërkesën tjetër, atë për të mbajtur ‘fuqitë e largëta’, konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jashtë bisedimeve”, thuhej në raportin diplomatik.

Kabllogrami citon drejtoreshën e çështjeve ligjore të Ministrisë së Punësve të Jashtme, Ledia Hysi, në kohën kur Lulzim Basha ishte ministër i Jashtëm, dhe ajo pohon se qeveria shqiptare dhe greke ka muaj që po negocion për kufijtë detarë.

Një çështje tjetër kundërthënëse mes Athinës dhe Tiranës është edhe kërkesa e grekëve për të ndërtuar varrezat e ushtarëve në pjesën jugore dhe lindore të Shipqërise, për të nderuar kështu ushtarët grekë të rënë në Shqipëri në kohën kur luftonin kundër forcave italiane në vitin 1920.

Negociatori kryesor sipas këtij kabllogrami ishte Islam Lauka.

Sipas këtij dokumenti, më 30 shtator, negociatorët grekë dhe shqiptarë ishin takuar në Tiranë. Por ata nuk kishin arritur një marrëveshje për çështjen e varrezave./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›