Fuentes tmerron Spanjën: Po fola, lamtumirë Europianit e Botërorit
Skandali i dopingut, që lidhet ngushtësisht me emrin e doktorit Eufemiano Fuentes, komplikohet edhe më tej. E gjithë Spanja është tronditur, pasi në këtë histori përfshihet edhe përfaqësuesja e futbollit, e cila ka fituar Euro 2008 dhe Kupën e Botës 2010. Mjeku, i cili u arrestua gjatë javës së kaluar pas “Operacionit Galgo”, u rrëfye me shokët e qelisë, në Gjykatën e Sheshit Kastija në Madrid, për çështjen e tij, duke u dhënë edhe detaje pikante. Ata quhen David, Robinson dhe Abedlhakim, tre kriminelë të zakonshëm, që “zbuluan” fjalët e gjinekologut 30-vjeçar, vetëm pak kohë përpara se ky i fundit të merrej në pyetje. Deklaratat janë bërë publike nga të përditshmet spanjolle “Marca” dhe “El Mundo”. Ata thanë se Fuentes dhe Manuel Paskua nuk ndodheshin në të njëjtën qeli dhe se ky i dyti, i cili është 77 vjeç, ishte në gjendje mjaft të rënduar. Eufemianon e përkufizuan një person mahnitës, simpatik, një tip mjaft interesant: “Na tha se është hera e dytë që e arrestojnë. Gjatë ndalimit të parë i sekuestruan disa gjëra, por duke qenë se nuk ekzistonte ligji antidoping, nuk i bënë asgjë. Këtë herë që ka ligj, nuk i kapën asgjë. Fuentes përgënjeshtroi faktin se është mjeku i Marta Dominguez dhe pretendon se historia e tij është e ngjashme me atë të kriminelit të viteve ‘60, Eleuterio Sançez Rodriguez, i njohur si ‘El Lute’. Kur ndodhte grabitja e një banke, policia arrestonte gjithmonë këtë hajdut, vetëm sepse më parë e kishin kapur një herë. Na ka thënë edhe se nëse do të fliste, e gjithë Spanja do të tronditej dhe do t’i hiqnin menjëherë Europianin dhe Botërorin”. Devid, njëri prej tre shokëve të qelisë së doktorit, tha: “Gjithsesi, unë nuk e lejova të vazhdonte më tej. Jam i pasionuar i sportit dhe nuk më intereson të dëgjoj historinë e tij”. Mjeku ka shtuar se ndodhej në burg “pasi Marta Dominguez është kampione e botës dhe prokuroria kërkon t’i lidhë çështjet e tyre, edhe pse unë nuk kam asnjë lidhje”. Pas të famshmit “Operacione Puerto”, në vitin 2006, Fuentes kishte bërë të ditur se i ashtuquajturi rrjet i sportistëve që përdornin doping ishte më i gjerë dhe përfshinte disa sporte të tjera si tenisi, atletika dhe futbolli. Të dielën, mjeku u la i lirë, por akuzohet për krime kundër shëndetit dhe trafikimit të substancave narkotike. Pas akuzave të Eufemiano Fuentes kanë reaguar dy prej protagonistëve të triumfeve të “furisë së kuqe”. Mesfushori Ksavi Hernandez ka hedhur poshtë gjithçka: “Në futboll nuk ka doping, tha ai. Triumfi i Spanjës në Afrikën e Jugut është i pastër”. Replika erdhi edhe nga trajneri Visente Del Boske: “Skuadra nuk ka përdorur doping. Gjatë 43 vjetëve që punoj në futboll nuk kam parë apo dëgjuar diçka që mund të ngrinte dyshime”.