E Diel, 1 Nëntor 2026

Fuere: Maqedonia të angazhohet për zgjidhjen e çështjes së emrit

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, Ervan Fuere deklaroi në fillimjavë se qeveria e Maqedonisë duhet të angazhohet maksimalisht për zgjidhjen e çështjes së emrit kushtetues. "Me të vërtetë duhet që qeveria e Maqedonisë të angazhohet sepse tashmë është momenti i duhur për zgjidhje. Siç thanë shumë qartë Olli Ren dhe Havier Solana, tashmë ka mundësi të reja dhe shumë dritare të cilat janë të hapura dhe që duhet të shfrytëzohen që të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë që është e mundur", theksoi Fuere. "Në dhjetor të këtij viti Këshilli i BE-së do të vendosë nëse do t'i japë apo jo datë Maqedonisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në këtë organizëm. Pasi të merret një vendim me konsensus, janë të mëdha gjasat që Greqia të vendosë veton, përderisa nuk zgjidhet çështja e emrit", shkruajnë mediat rajonale. Vendimi i muajit dhjetor do të jetë deciziv për mënyrën se si do të rrjedhë procesi i zgjidhjes së emrit. Pas debateve aktuale për zgjidhjen e kontestit të emrit midis Shkupit dhe Athinës, deri tani nuk janë dhënë sinjale të qarta nga pala ndërmjetësuese e këtij kontesti. Kjo çështje, nuk pritet të marrë drejtim tjetër, edhe përkundër qeverisë së re të zgjedhur në Athinë dhe qëndrimeve të shprehura nga kryeministri socialist i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, se Greqia nuk tërhiqet nga linja e kuqe për çështjen e emrit. Qeveria e re greke ka kërkuar që Shkupi të bëj përpjekje për zgjidhjen e kontestit të emrit, me anë të ndryshimit të emrit, sepse në të kundërtën do të bllokohet procesi i anëtarësimit në strukturat euroatlantike. Pas rekomandimit pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, Greqia është e vendosur për të bllokuar këtë proces duke mos dhënë datën e fillimit të negociatave për Maqedoninë. Ndërsa Athina zyrtare ka kushtëzuar që vetëm me ndryshimin e emrit, gjatë muajit dhjetor mund të pasojë dhënia e datës për fillimin e negociatave. Në rast të kundërt, do të vijojë vetoja e dytë greke kundë anëtarësimit të Maqedonisë në struktruat euroatlantike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›