E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajkoviç: Serbët të marrin pjesë në zgjedhje

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës qendrore i bëjnë thirrje Beogradit zyrtar që të mos pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë. Në një debat televiziv, njëra nga përfaqësueset e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkovic, tha se serbët e Kosovës duhet të provojnë që të organizojnë jetën e tyre në Kosovë. "Serbët duhet që patjetër të marrin pjesë në zgjedhje, sepse mendoj se kjo është mënyra që t'i ruajmë ata," tha ajo. "Unë nuk mund të garantoj se institucionet në Prishtinë do të punojnë në mbrojtjen e serbëve në Kosovë, por ne duhet të bëjmë çdo gjë që të provojmë e të organizojmë jetën tonë në një mënyrë që do të mundësonte që populli të qëndronte", shtoi Trajkoviç.
Ajo tha gjithashtu se rasti më i mirë për serbët do të jetë marrja e përgjegjësive në komunat e reja me shumicë serbe, që pritet të krijohen menjëherë pas zgjedhjeve lokale. Trajkoviç i bëri thirrje Beogradit zyrtar që të mos kërcënojë qytetarët serbë me sanksionim nëse marrin pjesë në zgjedhje. Por Sekretari i Shtetit në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tha se vendimi që Serbia nuk mbështet zgjedhjet në Kosovë nënkupton një urdhër. "Porosia e Serbisë është shumë e qartë, nuk ka si të jetë më e qartë. Ajo nënkupton, mos dilni në zgjedhje", tha ai. Në 15 nëntor në Kosovë mbahen zgjedhjet për pushtetin komunal, të parat që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe të parat që organizohen në tërësi nga institucionet vendase.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›