Sulmi në Bagdad, merret përsipër nga grupi i lidhur me Al Kaedën
Një grup terrorist i lidhur me Al Kaedan ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse të së dielës që shkaktuan vdekjen e rreth 160 personave në Bagdad. Një pohim i tillë është publikuar nga grupi "shteti islamik" në Irak në websiten që shpesh përdoret nga militantët për këtë qëllim. Gjithashtu pohohet se objektivi i sulmeve ishin Ministria e Drejtësisë dhe selia e asamblesë provinciale në Bagdad. "Atentatorët bombardues goditën strofkat e pabesisë", shkruhet ndër të tejra në reagimin e militantëve të Al Kaedës. "Ndër objektivat e zgjedhur", lexohet më tej në komunikatë, "ishte ministria e represionit, ose siç njihet ndryshe me emrin ministria e drejtësisë. Armiku kupton vetëm gjuhën e forcës", vijon reagimi në internet. Megjithatë ende nuk është verifikuar autenticiteti i mesazhit të publikuar në internet së fundmi. I njëjti grup terrorist pranon se është përgjegjës gjithashtu për sulmet e regjistruara në afërsi të selive ministrore në Bagdad gushtin e kaluar, që shkaktuan 95 të vdekur.