Fuere: Raporti i KE-së varet nga zgjedhjet
Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere deklaroi se raporti i Komisioni Evropian për Maqedoninë në mase të madhe do të varet nga rrjedha e zgjedhjeve të fundit.
"Raporti i BE-së në nëntor, në masë të madhe do të varet nga zgjedhjet. Bashkimi Evropian është i zhgënjyer nga procesi zgjedhor, imazh ky i cili pjesërisht u përmirësua gjatë rivotimit. Në çdo rast për momentin është tepër herët të thuhet se a do të ketë raport pozitiv nga ana e BE-së në nëntor të këtij viti”, tha Fuere.
Megjithate ai theksoi se “Maqedonia i takon BE-së dhe karta e Evropës bashkëkohore nuk mund të kompletohet pa Maqedoninë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori Fuere shpreson se data për fillimin e negociatave do të ndodhë në nëntor, por sërish kjo varet nga vetë Maqedonia.
“Unë sinqerisht shpresoj se kjo do të ndodhë në nëntor, por kjo varet nga vetë ju. Është e nevojshme një administratë e fortë dhe profesionale, e cila nuk duhet të ndërrohet çdoherë që kemi ndërrim të qeverisë. Për shembull në Slloveni ka edhe ministër për Administratë Publike, dikaster ky që shërben në disa qeveri dhe pas ndërrimeve të disa partive. Administrata publike dhe profesionalizmi i administratës e dërguan Slloveninë në dyert e BE-së", theksoi Fuere.