E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja, Topit: Kriteret tona për Gjykatën e Lartë

Tiranë- Pas letrës së presidentit Topi, Partia Demokratike ka bërë të ditur sot kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët për t'u emëruar anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Përmes një letre zyrtare, të nënshkruar nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, PD-ja i përgjigjet letrës së një dite më parë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili iu drejtua të gjitha partive politike lidhur me caktimin e kritereve në përzgjedhjen e kandidaturave për Gjykatën e Lartë.

Grupi parlamentar demokrat kërkon që kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë që të mos kenë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike. Kriter tjetër që duhet të plotësojnë kandidatët, cilësuar nga PD-ja si shumë i rëndësishëm është edhe mos favorizimi apo ndihma gjatë hetimit dhe gjykimit për individë ose anëtarë të organizatave kriminale.

“Kandidatët të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikt interesi dhe ta kenë bërë transparente dhe ta kenë të justifikuar pasurinë e tyre”- thuhet në letrën e PD-së, drejtuar Presidencës.

Emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve të Presidentit, do të kalojë përmes asistencës ligjore të posaçme të një grupi ekspertësh, i ngritur me propozim të Kreut të Shtetit.

Topi, nisur nga nevoja për një proces sa më transparent u kërkoi dje partive parlamentare që të caktojnë kriteret që duhet të përmbushë një kandidat për të qënë anëtar i Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›