E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata analizon prova të tjera ndaj Brown

Sot në Gjykatën e Tiranës janë administruar provat shkresore, akt ekspertimet e abuzimit të fëmijëve ndaj të akuzuarit David Brown. Gjyqi do të vazhdojë javën tjëtër me dëgjimin e një tjetër dëshmie.

Sipas akuzës, arrestimi i shtetasit anglez, David Braun, u bë më 18-maj të vitit 2006, pas kallëzimit të disa të miturve endacak, të cilët akuzonin ish-administratorin e qendrës së bamirësisë "His Children" se abuzonte seksualisht me ta. Ndërkohë, vetëm dy ditë pas arrestimit të Braun, policia shqiptare arrestoi edhe kuzhinierin e kësaj qendre, shtetasin Janaq Papleka duke akuzuar për "mos kallëzim krimi", pasi ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se në qendrën "His Chidren" abuzohej me fëmijët. Nuk kanë mjaftuar vetëm këto dy arrestime, pasi autoritete shqiptare kanë shpallur në kërkim edhe dy shtetasit e tjerë Dino Christodolu dhe Robin Arnold, të cilët kanë qenë punonjës të kësaj qendre për disa muaj në Shqipëri. Ata ishin larguar për në Angli dhe vetëm dje u bë e mundur ekstradimi i tyre për në Shqipëri me qëllim përballjen me drejtësinë.

Dëshmi nga gjyqi i Braun i kryer para një muaji në Tiranë

Ngashërime, lotë dhe frikë, mes tre fëmijëve që për katër orë radhazi dëshmuan skenat e dhunës seksuale në qendrën "His Children", të themeluar nga i pandehuri David Broun. Në shoqërinë e prindërve dhe psikologëve, fëmijët kanë dëshmuar nëpërmjet një video-konference gjithçka ndodhte në qendrën e mësipërme, duke akuzuar kryesisht Dino Christodoulou dhe Robin Arnold. Seanca gjyqësore u zhvillua në kujdes të plotë për të ruajtur anonimatin e fëmijëve, ku me ndihmën teknike të TVSH-së, iu ndryshua zëri dhe fytyra. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Tiranës, është pranuar kërkesa e prokurorit për të marrë dëshminë e tre të miturve, ku në mesin e tyre ishte një vajzë 15 vjeçe dhe dy djem njëri 7 dhe tjetri 11 vjeç. "Gjatë dëshmisë së tyre, ata kanë konfirmuar dëshminë e dhënë para prokurorit të çështjes, Arben Dollapi, duke "fundosur" kështu tre të pandehurit e kësaj çështjeje",-pohuan dje burime nga gjykata. Mësohet gjithashtu se tre të miturit, përveç abuzimeve me ta, kanë shpjeguar para gjykatës edhe për raste të tjera të ndodhura në qendrën e bamirësisë "Fëmijët e mi" nga të pandehurit.

***

"Shkak i mbajtjes së seancës gjyqësore me dyer të mbyllura ka qenë mosha e vogël e tre të miturve dhe ruajtja e identitetit të tyre. Njëkohësisht, arsyeja e marrjes në pyetje të tre të miturve me anë të video-konferencës ka qenë kërkesë e prokurorit që ata mos të trembeshin nga salla e gjyqit, nga i pandehuri, avokati, prokurori, gjyqtarët dhe punonjësit e policisë që ndodheshin në ruajtjen e të pandehurit",-thuhet nga burimet pranë gjykatës. Dëshmia më rrëqethëse ka qenë e djalit 7- vjeçar, i cili me lot në sy ka treguar abuzimet që kryenin të pandehurit ndaj tij, në orët e vona të natës. Ndërkohë, edhe dëshmia e vajzës tashmë 15- vjeçare ka qenë shumë bindëse, e cila me zë të dridhur dëshmoi tmerrin përjetuar nga drejtuesit e kësaj qendre bamirësie ndaj saj dhe fëmijëve të tjerë që ajo i kishte parë në orë dhe momente të ndryshme brenda shtëpisë që ndodhej nërrugën "Dervish Hekali", në banesën private nr.32, në kryeqytet.

***

Edhe dëshmia e djalit 11 vjeçar, sipas gjykatës, ka qenë rrëqethëse dhe shumë e frikshme për një fëmijë të moshës së tij, pasi ka treguar abuzimet që i pandehuri Robin Arnold kryente ndaj tij, duke mos përjashtuar edhe të pandehurin që ndodhej në sallën e gjyqit David Braun. "David më zhvishte dhe kryente veprime të turpshme në trupin tim",-ka thënë ai për gjykatën. Pas dëshmisë së tre të miturve, prokurori kërkoi nga gjykata ndërprerjen e seancës gjyqësore duke kërkuar shtyrjen e saj deri në javën tjetër për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë në këtë proces gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›