E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fukushima jashtë kontrollit

Nga Express më 16 mars 2011 në ora 14:30

Gjendja në kompleksin bërthamor japonez Fukushima 1, po bëhet gjithnjë e më e paqartë. Punëtorët e mbetur u larguan përkohësisht nga centrali, pasi rrezatimi arriti nivele ekstreme.

Pjesërisht u matën vlera rekord të radioaktivitetit prej 1000 millizivert në orë. Sipas të dhënave të ekspertëve, një rrezatim kaq i lartë shkakton probleme të rënda shëndetësore. Ndërkohë niveli i radioaktivitetit është sërish në rënie, tha zëdhënësi i qeverisë japoneze Yukio Edano.

Më parë, në reaktorin 4 kishte shpërthyer sërish një zjarr. Por sipas të dhënave të autoritetit japonez për sigurinë bërthamore, flakët ishin shuar pak kohë më pas.

Edhe mbi reaktorin 3 vihej re tym i bardhë. Fjala mund të jetë edhe për avull, tha Edano.

Në këtë bllok ka gjasa të jetë dëmtuar shtresa e brendshme mbrojtëse e reaktorit.
Japonia tha se nga Washingtoni ka kërkuar ndihmë ushtarake për tu marrë me këtë krizë.

Njëherësh, një tërmet prej 6 shkallësh i ka dridhur ndërtesat në Tokio.

Franca ka dërguar aeroplanë për evakuimin e shtetasve të saj.

Numri zyrtar i personave që e humbën jetën nga tërmeti i së premtes dhe cunami, arriti në 3600 vetë, por ka shqetësime se ky numër mund të jetë edhe më i madh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›