E Diel, 1 Nëntor 2026

Fukushima rritet niveli i radioaktivitetit. Centrali furnizohet me energji

Në Fukushima është arritur rivendosja e furnizimit të centralit me energji elektrike në të gjashtë reaktorët megjithatë sistemet e ftohjes nuk janë vënë ende në punë. Tymi i bardhë nga reaktori numër tre detyroi sërish evakuimin e punonjësve në centralin e Fukushimës. Zjarrëfikësit dhe ushtarët që punonin për ftohjen artificiale të reaktorëve, janë evakuar pasi u shënua sërish rritje në sasinë e avullit që po çlirohej nga reaktorët.

Në bllokun tre ku ka dhe plutonium është rritur presioni në një masë të tillë që për të evituar një shpërthim do të duhej të çlirohej një pjesë e presionit, çka nënkupton se në ajër do të çliroheshin edhe sasi të mëdha lënde radioaktive.
Kryeministri i Japonisë Naoto Kan ka anulluar vizitën e tij në rajonin e shkatërrruar nga termeti dhe cunami, pak para nisjes. Një zëdhënës i qeverisë tha se shkaku ishte reshjet e mëdha të shiut.

Rajoni Fukushima ku gjendet qendra e dëmtuar atomike, është goditur nga një tërmet i ri i fuqisë 4,7 ballë, njofton agjencia Kyodo. Ndërsa në një fshat 250 kilometra larg Tokio është regjistruar rritja e radioaktivitetit në ujin e pijshëm e për rrjedhojë  popullsisë i është kërkuar të mos hapë rubinetat.

E ndërsa autoritetet thonë se  janë fare pranë vendosjes së gjendjes në  kontroll Banka Botërore tha se rindërtimi në Japoni, pas tërmetit katastrofal, cunamit dhe krizës bërthamore, mund të kushtoj më tepër se 235 miliardë dollarë dhe do të duhet një periudhë prej pesë vitesh për  rindërtim.

Vendi përballet dhe me krizën humanitare me më tepër se 350 mijë vetë që ende banojnë në qendrat e evakuimit e që përballen me mungesa në ujë ushqim karburant e mjekime. Rreth 900 mijë banesa janë ende pa ujë.
Nga vendi ku lajmet e mirë këto ditë kanë munguar  historia e një nipi  dhe gjyshes së tij 80 vjecare që arritën të mbijetonin në gërmadha në Ishinomaki vazhdon ende të ngazëllejë  Japoninë. "Kishim ujë dhe  karamele," rrëfen Jin Abe nga spitali ku po kurohet.

Ndërkohë bilanci i viktiamve rëndohet dhe më me mbi  8450 të vdekur e rreth 11000 të tjerë të zhdukur.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›