Fule: Avokati i Popullit dhe ligjet me 3/5, shembulli i mirë i bashkëpunimit

Stefan Fule / Foto arkiv
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, u shpreh në fjalën e tij para deputetëve të Parlamentit shqiptar se zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe miratimi i ligjeve me 3/5 janë aspektet më pozitive të zbatimit të reformave që kërkohen nga BE.
Fule përsëriti edhe një herë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian.
Në fjalën e mbajtur para deputetëve të Kuvendit, Fule ka theksuar se kërkohet një përpjekje kombëtare për të përmbushur të gjitha prioritetet e kërkuara.
Përsëris mesazhin tim që unë e shoh të ardhmen e Shqipërisë si një anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Qytetarët shqiptarë e shohin të ardhmen e tyre në BE. Kjo është themelore për reformat që duhet të kryhen dhe për këtë kërkohet një përpjekje e plotë kombëtare.
Qeveria, opozita, institucionet e zbatimit të ligjit, gjyqësori, qytetarët dhe organizatat e shoqëria civile duhet të punojnë së bashku. Ju mund të arrini standarde në jetën politike, standarde këto që duhet të arrihen në një klimë paqeje pajtimi apo prosperiteti, theksoi Fule.
Fule takon Ramën: Dera e BE-së mbetet e hapur
Gjatë takimit me kreun e opozitës, Komisioneri Për Zgjerimin, Stefan Fule, është njohur nga kreu i PS-së me ecurinë e reformës parlamentare dhe zgjedhore.
Kreu i PS-së renditi një sërë çështjesh që mbeten për tu adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median. Rama ka rikonfirmuar angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë, bën të ditur zyra e shtypit e PS-së.
Ndërkohë, Fule ka përgëzuar kreun e Partisë Socialiste për rolin konstruktiv të opozitës për ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për rajonin.
Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e presidentit, Fule e vlerësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm politik për të ardhmen europiane të vendit tonë. Komisioneri Fule deklaroi se dera e Bashkimit Europian mbetet e hapur dhe nga Shqipëria priten mesazhe pozitive. / G.N.
* * *
Fule në konferencë me Berishën: Anëtarësimi varet nga progresi i Shqipërisë
Komisioneri Fyle ka nisur rreth orës 09:30 takimin me kryeministrin Berisha në selinë e kryeministrisë.
Ai shoqërohej nga ambasadori i BE-se, Ettore Sequi, dhe drejtori i KE për Zgjerim, Stefano Sanino, ndërkohë që në krah të kryeministrit ndodhej ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Komisioneri Fyle ka nisur rreth orës 09:30 takimin me kryeministrin Berisha në selinë e kryeministrisë. Ai shoqërohet nga ambasadori i BE-se Ettore Sequi dhe drejtori i KE për Zgjerim, Stefano Sanino, ndërkohë që në krah të kryeministrit ndodhej ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Pas këtij takimi pritet edhe konferenca e përbashkët Fyle-Berisha.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle ka deklaruar se Shqipëria i ka potencialet për të përmbushur kriteret kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Fyle theksoi se ritmi i anëtarësimit të Shqipërisë do të varet nga puna që do të bëjë Shqipëria për të përmbushur të gjitha kriteret.
E kam thënë edhe më herët se nuk po shkoj në Shqipëri për të folur për çështjet dhe problemet e të shkuarës, por për të shprehur përgëzimin që politikanët po shënojnë arritje lidhur me pritshmërinë jo vetëm të Brukselit, por edhe të vetë qytetarëve shqiptarë. Së dyti, dua të shoh se ku jemi sot, nëse e shohim progresin e deritanishëm dhe çështjet që mbeten të hapura njësoj. Dhe së treti, dua të konfirmoj atë që do quaja udhërrëfyesin, që shpresoj do ta çojë Shqipërinë brenda këtij viti në një etapë më të lartë të agjendës së zgjerimit, u shpreh Fyle.
Nga ana e tij kryeministri Berisha bëri me dije se me komisionerin Fyle është diskutuar për reformat si edhe zgjedhjen e presidentit të ri.
E njoha Fylen me progresin e bërë në të gjitha rrafshet: zgjedhjet, drejtësia. Duket se po shkojnë në një zë për heqjen e imuniteteve. Kemi qenë për mos prekjen e Kushtetutës, por tani pranojmë opsionet e opozitës për heqjen e imuniteteve. Diskutuam për problematikën dhe axhendën e ngjeshur të përmbushjes së 12 prioriteteve si edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Sigurova Fylen se e konsideroj këtë një proces, domosdoshmërisht që do kalojë me negociata, një proces që do respektojë plotësisht Kushtetutën. Ne do angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë ka por procesi real fillon kur e thotë Kushtetuta. Diskutuam për përpjekjet që duhen bërë që fryma e bashkëpunimit të konsolidohet, që palët të vlerësojnë njëritjetrin si bashkaksionerë në këtë proces themelor për vendin, tha kryeministri Berisha.
Fule, gjatë vizitës njëditore do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Avokatin e Popullit, Igli Totozani.
Fule pritet të diskutojë gjatë këtyre takimeve reformat në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat.
Gjatë seancës parlamentare, Fule do të mbajë fjalim para deputetëve lidhur me çështjen e rëndësishme të integrimit në BE.
Shqipëria ka aplikuar për marrjen e statusit me 28 prill të vitit 2009 dhe është i vetmi vend në rajon që i është refuzuar statusi për dy vite me radhë. / E.L.