E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule:Zgjedhja e presidentit, proces i negociueshëm

Komisioneri për zgjerimin në BE, Stefan Fule ka deklaruar se Shqipëria i ka potencialet për të përmbushur kriteret kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, Fule theksoi se ritmi i anëtarësimit të Shqipërisë do të varet nga puna që do të bëjë vendi ynë për të përmbushur të gjitha kriteret.

 “E kam thënë edhe më herët se nuk po shkoj në Shqipëri për të folur për çështjet dhe problemet e të shkuarës, por për të shprehur përgëzimin që politikanët po shënojnë arritje lidhur me pritshmërinë jo vetëm të Brukselit, por edhe të vetë qytetarëve shqiptarë. Së dyti, dua të shoh se ku jemi sot, nëse e shohim progresin e deritanishëm dhe çështjet që mbeten të hapura njësoj. Dhe së treti, dua të konfirmoj atë që do quaja udhërrëfyesin, që shpresoj do ta çojë Shqipërinë brenda këtij viti në një etapë më të lartë të agjendës së zgjerimit”, u shpreh Fule.

Ai ka theksuar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë një proces i negociushëm pasi kreu I shtetit duhet të pasqyrojë frymën e Kushtetutës. “Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces i negociueshëm. S`kam ardhur për dhënë këshilla, por për të parë përpara. Presidenti i ri duhet të pasqyrojë qartë frymën e Kushtetutës, por edhe ai që do të jetë dikush që siç thotë kushtetuta, të përfaqësojë unitetin e popullit shqiptar” theksoi Fule.

I pyetur nëse zgjedhja e presidentit është edhe element kyç për integrimin e Shqipërisë, komisioneri Fyle theksoi se: “Jam shprehur saktë dhe qartë për ato që duhen bërë që marrëveshja e nëntorit të përfundohet për planin e veprimit dhe rezultatet që duhet të dalin prej këtij plani veprimi. Këto janë parakushtet dhe zbatimi i ligjeve që janë miratuar në mënyrë që KE t`i rekomandojë shteteve anëtare dhënien e statusit kandidat. Jo vetëm KE por edhe të tjerë do ndjekin atë që qeveria dhe opozita të kthehen në rrugën e tyre e ta kthejnë axhendën evropiane në axhendë kombëtare dhe do të jenë shtetet anëtare ato që kur të marrin rekomandimet do të marrin parasysh edhe një panoramë më të gjerë dhe në këtë është edhe zgjedhja e presidentit që do të jetë një faktor tepër i rëndësishëm

Nga ana e tij kryeministri Berisha bëri me dije se me komisionerin Fule është diskutuar për reformat si edhe zgjedhjen e presidentit të ri.

“E njoha Fylen me progresin e bërë në të gjitha rrafshet: zgjedhjet, drejtësia. Duket se po shkojnë në një zë për heqjen e imuniteteve. Kemi qenë për mosprekjen e Kushtetutës, por tani pranojmë opsionet e opozitës për heqjen e imuniteteve. Diskutuam për problematikën dhe axhendën e ngjeshur të përmbushjes së 12 prioriteve si edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Sigurova Fylen se e konsideroj këtë një proces, domosdoshmërisht që do kalojë me negociata, një proces që do respektojë plotësisht Kushtetutën. Ne do angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë ka por procesi real fillon kur e thotë Kushtetuta. Diskutuam për përpjekjet që duhen bërë që fryma e bashkëpunimit të konsolidohet, që palët të vlerësojnë njëri–tjetrin si bashkëaksionerë në këtë proces themelor për vendin”, tha kryemistri Berisha.

Kryeministri Berisha gjithashtu ka ripërsëritur se ai nuk do të kandidojë për postin e presidentit të republikës. I pyetur nga mediat për ftesën e kreut të PS-së Edi Rama, kryeministri Berisha theksoi se do të ulet në bisedime vetëm në afatet kur Kushtetuta përcakton zgjedhjen e presidentit të ri.

“Nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri, jam i vetmi që kam deklaruar se nuk do kandidoj për postin e presidentit të Republikës. Së dyti, unë çdo ftese i përgjigjem pozitivisht. Vlerësoj ftesën e Ramës, por Kushtetuta përcakton një afat se kur fillon procesi kushtetues. Si unë dhe Rama për hir të respektit të postit të presidentit duhet ta respektojmë këtë. Jam gjithnjë për negociatat dhe siç fakton e gjithë kjo histori e gjatë komunikimesh, takimet janë të vlefshme kur ata parapërgatiten nga stafet që kanë dhunti të japin kontribut në përgatitjen e tyre”, shtoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›