E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Fule: Me rëndësi përfundimi në kohë i reformave

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule është takuar me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Në njoftimin për shtyp të selisë rozë kryesocialisti Rama e informoi Komisionerin për ecurinë e reformës parlamentare dhe zgjedhore, duke vënë në dukje rëndësinë e përfundimit të këtyre reformave brenda afateve të kërkuara.
 

Kryetari i PS gjithashtu ka renditur një sërë çështjesh që mbeten për t`u adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median.
 

Sipas selisë rozë Kryetari i PS rikonfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë ndërsa komisioneri Fule përgëzoi atë për rolin konstruktiv që ka luajtur opozita për ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për rajonin.

Kryetari i PS, gjithashtu e informoi komisionerin Fule , për qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. “Komisioneri Fule e vlerësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm politik për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Komisioneri Fule deklaroi se dera e Bashkimit Evropian mbetet e hapur dhe nga Shqipëria priten mesazhe pozitive” thekson selia rozë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›