E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Ballkani te zgjidhe ceshtjen e kufijve

BEOGRAD- Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Stephan Fule deklaron se liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet dhe demarkacioni i kufijve është një nga këto çështje.

Në një intervistë për të përjavshmen serbe "Danas" Fule deklaroi se çështja e demarkacionit të kufirit është pjesë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe se zgjidhja e saj varet vetëm nga këto vende, pasi kufijtë e papërcaktuar mund të jenë një nga pengesat më të mëdha në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Fule theksoi se Komisioni Evropian nuk është kompetent kur bëhet fjalë për përcaktimin e kufijve.

"Këto janë çështje bilaterale dhe këto duhet të zgjidhen mes palëve të interesuara. Kjo është shumë e saktë në rastin e Ballkanit Perëndimor, rajon që doli nga luftërat shkatërruese që lanë shumë probleme të pazgjidhura dhe shumë punë të papërfunduara në të cilat është e nevojshme të punohet'', shtoi ai.

Fule tha edhe se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë përbërëse e vlerave demokratike evropiane. "është e natyrshme të pritet që vendet që dëshirojnë të inkuadrohen drejt BE-së t'i përvetësojnë këto vlera", theksoi komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Stephan Fule.
(s.g/Atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›