E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Duhet ta zgjidhni krizën politike në 18 mars

Një dite para seancës plenare ku do të votohen kërkesat e PS-së për hapjen e kutive të votimit, Bashkimi Europian bën edhe njëherë thirrje për zgjidhjen e ngërçit politik në datën 18 mars. Dy ditë para se të realizojë vizitën e parë në Tiranë, komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle ka deklaruar se ngërçi duhet të marrë fund para realizimit të kësaj vizite.
Në një njoftim për shtyp komisioneri për zgjerimin dhe politikën europiane të fqinjësisë, Stefan Fyle ka theksuar se shpreson që ngërçi i cili lidhet me pjesëmarrjen aktive në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste të mund të zgjidhet para vizitës së tij.
Gjithashtu komisioneri për zgjerimin ka bërë edhe njëherë thirrje klasës politike që të punojnë së bashku në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura në të mirë të vetë qytetarëve të saj, si edhe në të mirë të aspiratave të saj evropiane.
Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, z. Stefan Fule do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë më 19 mars. Gjatë kësaj vizite Komisioneri Fule do të takohet me Presidentin e Republikës Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha, me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.
Shqipëria është ndalesa e radhës në turin që Komisioneri Fule po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar përparimin e secilit prej këtyre vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›