E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Integrimi i Ballkanit Perëndimor, Greqia të ndihmojë

Komisioneri europian për zgjerimin, Stefan Fule, i ka bërë thirrje Greqisë të kontribuojë në procesin e zgjerimit të BE, duke theksuar rolin e rëndësishëm të këtij vendi në këtë proces. 

Pas takimit me ministrin e jashtëm grek, Dimitris Avramopulos në Athinë, komisioneri Fule deklaroi se “Greqia, për shkak të pozitës së saj gjeografike mund të kontribuojë në mënyrë të rëndësishme në procesin e zgjerimit të BE, sidomos sa u përket vendeve të Europës Juglindore dhe kryesisht tre vendeve fqinje, Shqipërisë, Turqisë dhe FYROM. 

Fule ka garantuar shefin e diplomacisë greke se BE është e angazhuar sa i përket perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje për anëtarësimin e tyre, ndërsa do të vazhdojë bashkëpunimin me Greqinë në këtë çështje. 

Lidhur me ish republikën jugosllave të Maqedonisë, Fule tha se e informoi ministrin grek për optikën e Komisionit Europian lidhur me këtë çështje dhe la të kuptohet se progres-raporti për ish republikën Jugosllave të Maqedonisë, që do të publikohet më 10 tetor, do të jetë pozitiv sa i përket datës së fillimit të negociatave për anëtarësim. 

Komisioneri ndërkaq theksoi se me palën greke ka ndarë të njëjtin mendim, për “rëndësinë esenciale” që ka zgjidhja e mosmarrëveshjes për çështjen e emrit. 

Nga ana e tij, ministri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, theksoi se Greqia mbështet Turqinë, Shqipërinë dhe FYROM në procesin e tyre për integrimin europian. Ndërkaq, ai i theksoi komisionerit Fule se Greqia “pret nga vendi fqinj (FYROM) një lëvizje që do t’iu përgjigjet iniciativave të ndërmarra vitet e fundit nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Në këtë kuadër, tha Avramopulos, inkurajojmë rifillimin e negociatave nën patronazhin e Mattheë Nimetz, emisari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. 

“Që të jetë reciprokisht e pranueshme, një lidhje duhet të konsistojë në respektin reciprok të historisë dhe kulturës. Greqia ka bërë hapa përpara, ka treguar vullnetin e saj të vërtetë dhe jemi në një stad ku nën kujdesin e OKB-së, mund të ekzistojnë rezultate”, deklaroi Avramopulos. 

“Duam të besojmë se në një moment, do të vijë mirëkuptimi i domosdoshëm dhe realizmi që kërkohet, për të avancuar edhe vendi fqinj në hapat që nevojiten, që më në fund të gjendet një zgjidhje mbi bazën e parimeve që përmenda më sipër”, përfundoi ministri i Jashtëm grek. 

Gjatë qëndrimit në Athinë, Stefan Fule u prit edhe nga kryeministri i vendit, Antonis Samaras.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›