Svoboda e Fajon: Zgjedhjet lokale, test për Shqipërinë
Zv/kryetari i grupit socialist në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, pas takimit me përfaqësues të opozitës shqiptare, u shpreh se mesazhi ynë ishte shumë i qartë dhe ne morëm po ashtu një përgjigje të qartë, se opozita në Shqipëri është e interesuar që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. “Pra, nuk bëhet më fjalë për të bllokuar, apo për mos të marrë pjesë. Opozita do disa ndryshime, por këto ndryshime janë në bazë të sugjerimeve të ODHIR-it, që është përgjegjës për zgjedhjet. Kryeministri Berisha premtoi, që nëse këto ndryshime janë në linjë me rekomandimet ndërkombëtare të ODIHR-it, ai është gati t’i bëjë ato. Tani, është koha për aksion”, u shpreh Svoboda për “ABC News”. Sakaq, eurodeputetja Tanja Fajon, e pyetur se a do të jenë zgjedhjet e majit një test i mirë për opozitën dhe forcat e tjera që të tregojnë, se ata kujdesen për shqetësimet e qytetarëve, u përgjigj se është e sigurt se zgjedhjet në maj do jenë një shembull i shkëlqyer, një test i mirë që të tregojë që Shqipëria është një shtet demokratik, që respekton shtetin ligjor, institucionet demokratike dhe është gati të shkojë drejt integrimit europian.